E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha - Topi, "lufta" vazhdon

 

Presidenti i Republikës reagon ashpër ndaj rrëzimit të dekreteve. Paralajmëron lëvizje të rëndësishme

Rrëzimi i dekreteve, Topi: Ishte ekzekutim politik

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi theu heshtjen, një ditë pas rrëzimit në Kuvend të pesë dekreteve për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në një deklarim për mediat, Topi ka reaguar ashpër, pikërisht ndaj asaj mazhorance që e votoi një vit më parë, duke e cilësuar rrëzimin e dekreteve si ekzekutim politik. Por jo vetëm kaq. Në deklaratën e tij, Presidenti i Republikës ka paralajmëruar lëvizje të rëndësishme në të ardhmen, teksa i sugjeron medias që të ketë durim. “Lidhur me rrëzimin e emrave, kini durim, sepse unë nuk i jam shmangur ndonjëherë medias për pyetjet që më kanë bërë. Ky, padyshim, është një ekzekutim politik i këtyre kandidaturave, sepse këto kandidatura janë zgjedhur me shumë kujdes, janë zgjedhur mbi bazën e konsultimeve të gjera të CV-ve të tyre, por edhe me institucionet, të cilat mund të japin të dhëna për karrierën dhe integritetin e këtyre personave. Të rrëzosh sot në Shqipëri një gjyqtar që ka qenë për 9 vjet në Gjykatën e Strasburgut, besoj që është një luks shumë i madh. Nga ana tjetër, për të dalë kundër retorikave që bëhen për të përndjekurit, të rrëzosh një kandidaturë që mbështetet nga të Përndjekurit Politikë dhe t’i japësh atij vetëm 40 vota në Parlament, besoj që nuk ka nevojë për koment”,- u përgjigj Topi teksa është pyetur nga media nëse votimi ishte një votë kundër Presidentit të Republikës, apo kundër dekreteve. Kreu i shtetit i është përgjigjur edhe përpjekjes njëmujore të Kryeministrit, por edhe Kryetares së Kuvendit, lidhur me procedurat që ai ndoqi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. “Mund t’ju them që votimi i djeshëm duhet të konsiderohet jo në mënyrë paradoksale, por duhet të konsiderohet si një fitore e demokracisë, sepse për një muaj rresht, është diskutuar për anti-kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit, për paligjshmërinë e këtyre dekreteve dhe fakti që u futën në procedurën e votimit sipas Kushtetutës, tregon që edhe palët që e kontestonin u ndërgjegjësuan që kjo procedurë ishte kushtetuese”, -shtoi ai. Në këto kushte, Presidenti i Republikës ka bërë me dije edhe një fakt të rëndësishëm. “Mund t’ju them edhe për një pozicionim të institucioneve specifike që merren me supervizionin e ligjshmërisë mbi institucionet e drejtësisë shqiptare, që i kanë dhënë plotësisht të drejtë pozicionit kushtetues të Presidentit, pra për këtë s’ka asnjë dyshim”,- tha Topi. Dy ditë më parë, Kuvendi me shumicën e votave të mazhorancës, por edhe të disa votave nga e majta, rrëzoi të pesë dekretet e Presidentit të Republikës, të cilat ishin depozituar në Kuvend që prej datës 12 Maj. Edhe pse zgjati një muaj si proces, përpos qëndrimit të tejzgjatur të mazhorancës për të kundërshtuar dekretet, vetëm një ditë më parë, ato u rrëzuan me votim të fshehtë, duke mos ndryshuar asgjë në thelb e dukë lënë ende të bllokuar funksionimin e Gjykatës së Lartë.

Dekretet, Topi takon Uidhers e Lohan

TIRANË- E marta e djeshme, për Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ka qenë një ditë e ngjeshur me takime e aktivitete. Pas marrjes pjesë në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, Kreu i Shtetit ka takuar në mesditë në zyrën e tij, Ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Pas këtij takimi, që zgjati rreth 30 minuta, presidenti Topi priti një tjetër ambasador të rëndësishëm, atë amerikan, Xhon Uidhers. Presidenca nuk njoftoi asgjë mbi përmbajtjen e takimeve, duke publikuar në sitin zyrtar vetëm fotot e takimit. Megjithatë, nisur nga ngjarjet e fundit në vend, duket se rrëzimi i dekreteve nga ana e Kuvendit, ka qenë objekt i bisedës së zhvilluar me të dy ambasadoret në fjalë. Në takimin e para dy javëve, që Topi zhvilloi me Ambasadorin Amerikan në Tiranë, Uidhers, ky i fundit u shpreh se vlerësonte rolin moderator dhe pozitiv të presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve demokratike e kushtetuese. Në takimin e para disa ditëve, Ambasadori Amerikan e siguroi gjithashtu Kreun e Shtetit mbi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për demokracinë shqiptare, për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e pavarura, si edhe për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO.

Vazhdon përplasja me institucionet. PD nuk ndryshon qëndrim. “Topi të konsultohet për emrat”

Topalli-Topit: Nis konsultimet për emrat e rinj

TIRANË- Rrëzimi i pesë dekreteve, duket se i ka dhënë “krah” kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila dje ka deklaruar se rruga e vetme që i mbetet presidentit Topi për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, është dialogu dhe bashkëpunimi me Kuvendin. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, në një dalje të posaçme për mediat e ka vlerësuar votën kundër ndaj pesë kandidaturave, si shprehje të mospëlqimit të Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Megjithëse nuk ka pranuar që të komentojë shkaqet që çuan mazhorancën në këtë vendim, Topalli, si zë përfaqësues i mazhorancës qeverisëse, ka ftuar kreun e shtetit që të bëhet pjesë e dialogut dhe të hyjë sa më parë në konsultime me faktorët parlamentarë për përzgjedhjen e kandidaturave të duhura, në mënyrë që zhvillime të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen. “Parlamenti, dje, nuk dha pëlqimin për gjyqtarët e dekretuar nga Presidenti i Republikës. Shkaqet e këtij votimi janë komplekse dhe nuk jam këtu për t’i analizuar ato, por jam këtu para jush për të ftuar Presidentin e Republikës që, në frymën e Kushtetutës dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat parashikojnë luajalitetin kushtetues dhe bashkëpunimin institucional në procedurën e emërimit të gjyqtarëve, të nisë konsultimet me faktorët kryesorë parlamentarë, në përputhje me një traditë tashmë të konsoliduar të mëparshme”,- u shpreh Topalli. Ndërkohë që në këtë linjë ka qenë dje dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili ka përshëndetur vendimin e shumicës së Kuvendit për t’i qëndruar, siç e ka cilësuar ai, besnik Vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ashtu si edhe Kryeparlamentarja, kreu i grupit demokrat Astrit Patozi ka ripërsëritur ftesën për kreun e shtetit që të mos humbasë kohë me deklarata, por të nisë sa më parë konsultimet me Kuvendin për përzgjedhjen e kandidaturave të reja për anëtarë të Gjykatës së Lartë. “Ne ftojmë Presidentin e Republikës, por edhe opozitën, që të nisim pa humbur kohë procedurën e konsultimit për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë plotësimit të Gjykatës së Lartë, duke theksuar se transparenca në përzgjedhjen e tyre është një element tepër i rëndësishëm, në interes të vendit dhe të të gjitha palëve”, - tha Patozi. Megjithatë, pavarësisht dallimeve që kanë karakterizuar kohët e fundit marrëdhëniet midis mazhorancës dhe Presidentit, Kryetarja e Kuvendit, Topalli dhe kryetari i grupit parlamentar, Astrit Patozi, kanë lëshuar edhe një mesazh të qartë për evitimin e konfliktit me kreun e shtetit, duke u shprehur të gatshëm që të respektojnë atë si institucion, gjithmonë nëse ky i fundit do të bashkëpunojë me Kuvendin. “Si Kryetare e Parlamentit, duhet të siguroj Presidentin e Republikës për respekt të plotë të këtij institucioni, ndaj institucionit të Presidencës”, - tha Topalli. Kuvendi rrëzoi dy ditë më parë me votën e mazhorancës, pesë propozimet e Kreut të Shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Përmes një deklarate të përbashkët, kanë reaguar dje edhe kandidatët e rrëzuar nga Kuvendi

Kandidatët për Gjykatën e  Lartë: Dekretet, vendimi politik

TIRANË- Ashtu si Presidenti, edhe pesë kandidatët e rrëzuar për anëtarë të Gjykatës së Lartë, e kanë konsideruar votën kundër tyre, pasojë e luftës politike dhe jo për arsye profesionale. Në një komunikatë të përbashkët për mediat, pesë ish-kandidatët, Mehdi Bici, Altina Xhoxhaj, Kristaq Traja, Artan Zeneli dhe Zamir Poda kanë shprehur për herë të parë qëndrimin e tyre në lidhje me gjithë debatin e zhvilluar për këtë çështje, duke theksuar se vlerësimi i Kuvendit për ta ishte i paragjykuar.“Duke respektuar të drejtën sovrane të Kuvendit të Shqipërisë për të dhënë ose jo pëlqimin për kandidaturat e përcjella nga Presidenti i Republikës, vlerësojmë se, megjithatë, ky refuzim nuk cenon integritetin tonë profesional, por rëndon në dinjitetin tonë moral dhe njerëzor. Ne vlerësojmë se, më shumë se për ne profesionalisht dhe personalisht, Kuvendi ka çmuar të rreshtohet politikisht dhe të votojë politikisht. Ne konsiderojmë se procesi i dhënies së pëlqimit për ne, për shkaqe dhe rrethana të ndryshme, ishte i paragjykuar që në krye të herës”,- shprehen 5 gjyqtarët e mësipërm në deklaratën e përbashkët. Ata vlerësojnë më tej, në deklaratën e tyre, se politika ka keqinterpretuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese përsa i përket të drejtës së kreut të shtetit për të përzgjedhur kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke marrë më parë pëlqimin e Kuvendit. “Zvarritja e procesit, shkelja e procedurës ligjore dhe praktikës të ndjekur deri më sot, por ndoshta edhe keqinterpretimi i Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ishin një pjesë e faktorëve që më pas u shtuan me etiketime të pabaza ndaj nesh dhe paragjykime të dëmshme”,- thuhet në këtë deklaratë. Gjithashtu, ata kanë falënderuar Kreun e Shtetit për besimin që pati në përzgjedhjen e tyre, duke vlerësuar njëkohësisht si një domosdoshmëri, shkëputjen e shoqërisë shqiptare nga paragjykimet dhe paravlerësimet. “Shfrytëzojmë rastin të rikonfirmojmë rëndësinë e procesit dhe nevojën urgjente të ndarjes së të gjithë shoqërisë nga paragjykime dhe paravlerësime që mund të dëmtojnë dhe thelbin e një aksioni të drejtë, të ndershëm dhe transparent”, - përfundon deklarata e pesë gjyqtarëve të propozuar për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së i bëri thirrje Kuvendit që të reflektojë dhe ti hapë rrugë zgjidhjes

Leskaj: Vota e PD-së, presion direkt ndaj Presidentit

TIRANË- Partia Socialiste akuzon mazhorancën se me rrëzimin e pesë dekreteve të Presidentit të Republikës ka cenuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor në vend. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, duke komentuar zhvillimet në seancën e fundit plenare, është shprehur se mazhoranca me votën e saj zbuloi tentativën e saj për të vënë nën kontroll Gjykatën e Lartë. “Ne e konsiderojmë qëndrimin e djeshëmtë mazhorancës, e cila hodhi poshtë dekretet e Presidentittë Republikës, si një rast alarmant për pavarësinë e Gjykatës së Lartë, si një presion direkt mbi gjyqtarët sipas filozofisë: Ne ju vëmë, Ne ju heqim!!!”, - u shpreh Leskaj. Gjithashtu, ajo ka theksuar se vota kundër pesë kandidaturave të propozuara përbën dhe një presion direkt ndaj kreut të shtetit, për ta detyruar atë që të hyjë në pazare me përfaqësuesit e shumicës dhe për të përzgjedhur ata emra që i sigurojnë atyre mazhorancën edhe në Gjykatën e Lartë. “Njëherësh ne konsiderojmë të rëndë situatën në Gjykatën e Lartë e cila mbetet e bllokuar për shkak të këtij qëndrimi, i cili nuk bazohet në asnjë argument, por në logjikën e shantazhit ndaj Presidentit për ta detyruar të bëjë pazar me qeverinë për emërimet e gjykatësve. Këtu mbetet e qartë që kemi një presion ndaj presidentit, kemi një presion ndaj gjyqësoritduke vënë në pikëpyetje pavarësinë e institucioneve”, u shpreh më tej Leskaj. Nisur nga debati që prodhoi kjo çështje, socialistët i bëjnë thirrje Kuvendit që të reflektojë dhe ti hapë rrugë plotësimit të këtyre vendeve vakante, në funksion të zgjidhjes së krizës kërcënuese për pushtetin vendor në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›