E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për një gardh, tre të plagosur në Tepelenë

Tepelenë- Dy familje në një fshat të Tepelenës u përfshinë në një sherr për një gardh, që më pas ka degjeneruar në përleshje me armë gjahu dhe thika. Për pasojë, 3 perona mbetën të plagosur dhe janë dërguar pak minuta më parë me urgjencë në spitalin rajonal të Gjirokastrës “Omer Nishani”.

Ngjarja ndodhi në fshatin Salaria dhe ka pasur për protagonistë të konfliktit dy familje të të njëjtit fis. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se familjet e përfshira në konflikt janë familja Dulaj dhe Këçani, të cilat kanë lidhje mes tyre.

“Anëtarët e dy familjeve, 3 persona nga secila prej tyre janë zënë për një gardh ndarës, sherr që shumë shpejt përfunoi në dhunë”- tha mbrëmë zëdhënësi i policisë.

Nga hetimet paraprake mësohet se në sherr janë përdorur armë të ftohta, si thika dhe armë gjahu. Si pasojë e goditjeve mes tyre, kanë mbetur të plagosur tre persona, dy burra dhe një grua.

Aktualisht në spitalin rajonal “Omer Nishani” ndodhen të shtruar 3 persona, të plagosur, nga të dyja familjet, por sipas mjekëve ata janë jashtë rrezikut për jetën

Policia nuk ka shoëqëruar ende asnjë person përgjegjës për ngjarjen, pasi ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se gruaja ka marrë goditje me armë në pjesën e barkut. “Sapo, të dëmtuarit të dalin nga gjendja e rrezikut do të nisin hetimet për ngjarjen”- thanë burimet zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›