E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD zgjedh sot pasuesin e Spahiut, Topi drejton mbledhjen

TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë nën drejtimin e kryetarit të saj, presidentit Bamir Topi, do të vendosë sot lidhur me zëvendësuesin e nënkryetarit të dorëhequr Kreshnik Spahiu, i cili dha dorëheqjen e parevokueshme 3 ditë më parë.

Mbledhja e KLD-së ka nisur rreth orës 09:00, ndërsa Kreshnik Spahiu nuk është i pranishëm pasi ka dhënë dorëheqjen edhe si anëtar i Këshillit.

Kreshnik Spahiu e argumentoi vendimin për dorëheqjen nga posi i nënkryetarit të KLD-së, me presionet e vazhdueshme të pushtetit, që sic tha ai, kanë nisur që në vitin 2008. Spahiu njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, si i vetmi arbitër i cili mund të zgjidhë konfliktin midis dy pushteteve.

Ndërkohë Komisioni hetimor Parlamentar për shkarkimin e Spahiut, pritet të publikojë sot raportin që do t’i dërgohet Parlamentit. Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni, kreu demokrat i tij, Enkelejd Alibeaj deklaroi se në këtë raport do t’i rekomandohet Prokurorisë së Përgjithshme dhe nisja e një procesi penal ndaj Spahiut.

“Në bazë të nenit 284 të Kodit të Procedurës Penale do paraqes kallëzim penal për zyrtarin shtetëror Kreshnik Spahiu, nënkryetar i KLD për shkak se ka shpërdoruar detyrën duke mos sjellë pranë komisionit hetimor shkresa të cilat janë kërkuar, duke mos respektuar urdhërimin ligjor të nenit 17 të ligjit të komisioneve hetimore”, paralajmëroi Alibeaj.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera “Shkarkimi i Spahiut”, miratohet sot raporti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›