E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, 1 milion dollarë për numërimin e kafshëve

• Më shumë se 1 milion dollarë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit regjistrimi i kafshëve dhe fermave blegtorale.ZIRINA LLAMBROQeveria ka kaluar dje vendimin sipas së cilit, ky proces do të realizohet nga drejtoria që mbulon fushën e veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Por ajo çka bie në sy janë shpenzimet, madje dhe të detajuara në tabelën që i bashkëngjitet projektvendimit. Sistemi i regjistrimit të kafshëve dhe fermave në vend do të ketë një bazë të dhënash për ta pasur zili. Nga sa është parashikuar në vendim vetëm për bazën materiale (instalimi, programi, kompjuterë për 26 rrethe etj) duhen rreth 15 milionë lekë. Sigurisht të reja. Sakaq janë parashikuar edhe trajnime, që do të kushtojnë 2.2 milionë lekë apo promocioni, i cili për regjistrimin e kafshëve dhe fermave në vend parë me syrin e qeverisë është mjaft i nevojshëm. Sa i përket trajnimit është parashikuar edhe dieta për secilin prej tyre. Ajo do të jetë 4000 lekë personi, ky proces do të zgjasë për 30 specialistë 5 ditë, ndërsa për 200 të tjerë 2 ditë. Deri në dhjetor të vitit 2007 identifikimi i kafshëve dhe regjistrimi i fermave është financuar nga donatorët e huaj. Nga 250 mijë kafshë të parashikuar për t’u regjistruar dhe trajtuar epidemiologjikisht, për vitet 2006-2007 janë matrikuluar vetëm 185 mijë. “Gjatë 2008 parashikohet të përfundojë regjistrimi në 10 rrethe të vendit ku ka nisur projekti, ndërsa në vitin 2009 parashikohet të zgjerohet për të gjithë vendin”, thuhet në relacionin e Ministrisë së Bujqësisë. Pra fondi 1 milion dollarë i bie të jetë akorduar për “mbushjen” e vakumit të lënë nga mosrealizimi i projektit nga donatorët e huaj. Zbatimi në terren i sistemit të  regjistrimit do të bëhet me specialistë privatë të blegtorisë, të kontraktuar nga strukturat e shërbimit veterinar në drejtorinë rajonale të bujqësisë. Për punën e kryer specialistët do të paguhen nga buxheti i shtetit.Kusht i KE-sëVendosja e sistemit të identifikimit të kafshëve dhe regjistrimit të fermave (I&R), është një nga kushtet e KE-së për vendin tonë. Kjo në mënyrë që të garantohet kontrolli i lëvizjes së kafshëve, monitorimi i situatës epizootike, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›