“Tirana e shëndetshme”,projekt për drogën
• Prezantohet projekti “Tirana e shëndetshme”, për luftën kundër drogës në kryeqytet.Për të realizuar me sukses objektivat e tij, ai është planifikuar të zbatohet në katër faza, për një periudhë kohore prej 12 muajsh. Ato përfshijnë vlerësimin e shërbimeve ekzistuese të toksikodipencës, përshkrimin e karakteristikave që ky fenomen shfaq në qytetin e Tiranës, vlerësimin e njohurive ekzistuese mbi toksikodipendencën dhe atyre të nevojshme për përmbushjen e projektit, krijimin e zyrës “Tirana”, e cila do të luajë rolin e koordinatorit dhe menaxhuesit të rrjetit të shërbimeve, si dhe krijimin e dy qendrave sociale, një qendër ditore dhe një qendër pritëse pranë komunitetit “Emanuel”. Gjithçka do të realizohet nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Agjencinë Bashkiake për Toksikodipendencën (institucion i Bashkisë së Romës) dhe komunitetit “Emanuel” në Shqipëri. “Me këtë marrëveshje dëshirojmë t’i hapim rrugë këtij projekti kaq të rëndësishëm për qytetin e Tiranës, një projekt që ka nisur vite më parë, ai do të ofrojë jo vetëm shërbime për këtë kategori që tashmë është e pranishme edhe në Tiranë, siç janë përdoruesit e drogës, por dhe për krijimin e strukturave, forcimin e kapaciteteve, trajnimin e burimeve njerëzore për të përballuar fenomene të tilla”, u shpreh dje zv.kryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi. Projekti “Tirana e shëndetshme” ka për qëllim të ofrojë dhe të shpërndajë modelin bazë të përvojës së arritur në fushën e toksikodipendencës, në Romë. Nëpërmjet një pune të bashkërenduar midis Bashkisë së Tiranës dhe partnerëve të sipërpërmendur synohet të punohet rreth praktikave më të mira të eksperimentuara në Bashkinë e Romës, me qëllim përforcimin e shërbimeve sociale të ofruara në Shqipëri, formimit profesional, ngritjes institucionale dhe koordinimit të shërbimeve. Në vendin tonë numërohen më shumë se 30 mijë përdorues të drogës, pjesa më e madhe e përqendruar në kryeqytet. Nga ana tjetër, sipas të dhënave rezulton se, është ulur mosha e përdoruesve, sidomos për drogat e lehta, si hashashi. Numri i gjimnazistëve që konsumojnë këtë lloj droge, madje edhe në ambientet e shkollës, është tepër i lartë.