Dorëhiqet Daliç,Dinamo e gdhin sot pa trajner
Gjergj Vyshka
Zllatko Daliç, trajneri i Dinamos, menjëherë pas ndeshjes me Partizanin ka dhënë dorëheqjen. Një akt, të cilin kroati i pankinës blu ia ka komunikuar lojtarëve në dhomat e zhveshjes, ndërsa ka vonuar të dalë përpara medieve. “Nuk do të jem më trajneri juaj”, mësohet t’u ketë thënë Daliç lojtarëve në dhomat e zhveshjes. Në fakt, kroati ka qenë më shumë se i tronditur nga kriza e rezultateve në dy ndeshjet derbi. Nga 2-1 në 2-4 me Tiranën, dje 0-1 me Partizanin, dhe kaq ka mjaftuar që Daliç, i cili kishte firmosur në korrik një kontratë dyvjeçare me presidentin Sulaj, të thotë “Mjaft!”. Madje si për ta bërë më zyrtare dorëheqjen e tij, sot Daliç, në ora 11:00, do të jetë pranë skuadrës, atje ku do të takojë për herë të fundit lojtarët, që i ka stërvitur për shtatë muaj.
Para mediave
Këto ishin fjalët që i ka thënë skuadrës, por Daliç, përpara gazetarëve, ka pasur një mendim ndryshe, duke kërkuar që gjithçka ta zgjidhë pas takimit me presidentin e Dinamos, Besnik Sulaj. “Urime Partizanit për fitoren! Ka pasur më shumë dëshirë për ta fituar ndeshjen dhe ia ka arritur qëllimit. Ne kemi humbur ndeshjen e dytë radhazi dhe nuk jam i kënaqur me këtë punë. S’më mbetet gjë tjetër të them, urime Partizanit!”. Duke vazhduar më tej, Daliç do të nënvizonte: “Unë kam përgjegjësinë time për humbjen, për rezultatet e kësaj skuadre. Sa për punën time në krye pankinës, do të takoj presidentin dhe më pas do të vendos. Gjithçka do të vijë pas takimit me Sulajn”.
Presidenca
Ndërkaq, në krahun tjetër, burime zyrtare pranë presidencës dinamovite bëjnë të ditur se dorëheqja, të cilën Daliç ua ka komunikuar futbollistëve, nuk ka mbërritur zyrtarisht pranë tyre. Por dy humbjet radhazi i kanë lënë të pakënaqur drejtuesit e Dinamos. Jo vetëm kaq, por dhe mënyra se si ka reaguar Dinamo në fushën e lojës, në një kohë kur është ekipi që në merkaton e dimrit ka harxhuar gati 500.000 euro për të bërë blerje cilësore. Por çështja është se gjë nuk po duket. Ndaj, gjithnjë sipas burimeve pranë presidencës, më tepër se sa një dorëheqje e Daliçit, që duket punë e mbaruar, do të jetë një largim i tij nga pankina e Dinamos prej presidencës. Gjithsesi, Daliç sot ka dy takime, të parin me presidentin Sulaj dhe të dytin me skuadrën. Për të thënë përfundimisht “Mirupafshim”, ndërkohë që Dinamo sot gdhin pa trajner.