E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditje për kabinetin Obama, tërhiqet ministri Daschle: probleme me taksat

 

Ish-senatori demokrat, Tom Daschle ka hequr dorë nga detyra e ministrit amerikan të Shëndetit për shkak të problemeve të tij të mëparshme me taksat. Presidenti Barak Obama e ka pranuar vendimin e tij, por nuk ka fshehur “trishtimin dhe keqardhjen”. Daschle, një ish-lider demokrat në Senat ka pasur akuza për evazion taksash në të kaluarën për një vlerë prej rreth 120 mijë dollarësh. Ai e ka motivuar largimin e tij me faktin se nuk arriti të marrë mbështetje të plotë në Kongres dhe kjo mund t’i hapte probleme të mëdha në të ardhmen. Por Obama e ka komentuar të gabuar vendimin e tij për t’u tërhequr, megjithëse nuk arriti të bëjë gjë tjetër veçse ta pranojë dorëheqjen. “Tomi ka bërë një gabim që e ka pranuar hapur, për të cilin nuk ka justifikime”, deklaroi Obama, duke marrë njëkohësisht përgjegjësinë për çështjen. “Marr përsipër të gjithë përgjegjësinë për ata, që kam zgjedhur të jenë pjesë e kabinetit tim. Eshtë një përgjegjësi që më përket mua dhe kështu mund të thuhet se kam bërë një gabim. Eshtë e rëndësishme që administrata ime të dërgojë një mesazh se nuk ekzistojnë dy lloje të ndryshme rregullash, një për njerëz të rëndësishëm dhe një tjetër për njerëz normalë që paguajnë taksat. Jam i zemëruar me veten time dhe me skuadrën time”, tha presidenti amerikan. Më pas Obama ka saktësuar se ka gabuar jo për sa i përket zgjedhjes së Daschel, i cili ishte profesionalisht i kualifikuar, për pozicionin e tij si ministër i Shëndetit, por për faktin se nuk kishte ndërhyrë kur kishte dalë në shesh puna e taksave të papaguara nga ish-senatori. Kjo konsiderohet një goditje e fortë për administratën Obama, e cila ka marrë përsipër ta drejtojë Amerikën drejt një rruge përgjegjësie dhe transparence etike. Ikjes së Daschle i është shtuar faktikisht edhe një tjetër emërim i Obamës ai i Nancy Killefer, shefe ekzekutive e gjigantit “McKinsey” për të organizuar bilancin federal. Edhe ajo pasi nuk kishte paguar 946,69 dollarë kontribute.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›