E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujërat shqiptare nxjerrin thesaret e mbytura

 

E njohur deri më tani për qendra arkeologjike, si Butrinti, Durrësi apo Apolonia, apo qytete karakteristike nën mbrojtjen e UNESCO-s, si Gjirokastra e Berati, tanimë Shqipëria këshillohet në guidat turistike, si një vend me një pasuri të jashtëzakonshme nënujore. Vetëm dy ditë më parë në shërbimin e ri të “Google” (Google ocean), ndër vendet ku ia vlen të shkosh për të eksploruar nën ujë, është edhe Shqipëria. Kjo falë zbulimeve më të fundit, në ujërat e Sarandës, organizuar nga “Albanian National Trust” dhe “Waitt Institute for Discovery” dhe përpjekjes së këtyre fondacioneve, për të bërë të njohura pasuritë shqiptare. Këtyre zbulimeve, të cilat rezultojnë me një vlerë të jashtëzakonshme, në datën 1 shkurt, “International Herald Tribune” i “New York Timmes” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë në faqet e saj. Një shkrim i botuar së pari nga “Associated Press” nga gazetari Llazar Semini, e që po qarkullon faqe gazetash e faqesh interneti, deri në Kinën e Japoninë e largët. Tanimë, Shqipëria, një nga brigjet më të harruara të Evropës, po nxjerr thesaret e humbura, që datojnë 2500 vjet më parë. Bëhet fjalë jo thjesht për objekte arkeologjike, si amfora e poçe balte, por për anije, që rezultojnë ndër më të hershmet e gjetura deri më sot në botë. Përgjatë stinës së nxehtë në vitet 2007-2008, një anije me specialistë shqiptarë e amerikanë kanë “krehur” ujërat e jugut të Shqipërisë, centimetër për centimetër, duke përdorur ekipe skanografije, robotë nënujorë, për të kërkuar pasuritë nënujore. Sipas organizatorëve, ky është kërkimi i parë arkeologjik nënujor, që ndër të tjera synon të zbardhë teknikën e ndërtimit të anijeve në kohërat antike. Projekti nuk mund të imagjinohej 18 vjet më parë, kur vendi i vogël ballkanik, vazhdonte të ishte në regjimin komunist dhe i shkëputur me botën e jashtme. Regjimi i egër shënjoi gjithë vendin me më shumë se 700 mijë bunkerë, në pritje të një pushtimi të huaj, që nuk erdhi kurrë. Në fakt, regjimi komunist u rrëzua pas revoltave të studentëve në vitin 1990, çka hapi Shqipërinë me botën. 
“Shqipëria është një burim i pamasë i pazbuluar arkeologjik”,- thotë arkeologu amerikan Jeffrey G. Royal nga “RPM Nautical Foundation”. “Me atë çka ne kemi zbuluar deri tani, mund të themi se Shqipëria është barabar me Italinë dhe Greqinë”. Ekspeditat e fundit kanë zbuluar gjurmë të 4 anijeve të mbytura greke, që datojnë në shek. VI-III para Krishtit, ndërkohë që tri vendndodhje të tjera po verifikohen. “Zbulimet janë vërtetë shumë të rëndësishme, për shkak të pamjaftueshmërisë së objekteve që dokumentojnë atë periudhë”, - thotë Andrej Gaspari, një nga drejtuesit e projektit, nga Sllovenia. “E vetmja anije e gjetur e kësaj periudhe i përket Mesdheut Perëndimor dhe Izraelit... Kështu që njohuritë tona mbi teknologjinë e përdorur për ndërtimin e anijeve është e limituar”.
Gjatë kohëve antike, Shqipëria ishte një rrugë e rëndësishme tregtare, ku kalonin mjete nga Greqia, Italia, Afrika e Veriut dhe Mesdheu Perëndimor. Këtë e tregojnë edhe zbulimet e ekspeditës së fundit, e cila koordinohet nga Auron Tare. Një poçe qeramike 50 cm e gjatë, apo amforë e përdorur për transport vere, apo vaj ulliri, dhe një version i vogël i gjetur 78 metra në thellësi, ndoshta janë prodhuar në qytetin jugor grek, të Korintit, në shek. VI apo V para Krishtit. Të dyja u nxorën nga një anije tregtare, 3 km larg bregut. Arkeologu shqiptar Arian Anastasi thotë se nëse vërtetohet që anija i përket shek. VI para Krishtit, atëherë ajo do të jetë një në 5 të tillat, të zbuluara në botë. 
Të tjera objekte, që i përkasin shek. IV para Krishtit, janë një amforë dhe një tjegull çatie, një poçe e Afrikës së Veriut e shek I-III dhe një spirancë e gurtë romane e shek II-I para Krishtit. Skuadra po operon tej portit jugor të Sarandës, ku ndodhen më shumë se 20 anije të mbytura të shek. XX.
Anastasi thotë se e veçanta në zbulimet e vitit 2008 ishte gjetja e një sasie tjegullash argjile, të cilat duket të jenë pjesë e një ngarkese të plotë anijeje. “Një anije e mbytur me një ngarkesë tjegullash nuk ishte gjetur asnjëherë më parë”, thotë Anastasi, teksa shton se përmasat e këtyre objekteve (73x52 cm) përkojnë me pllakat e argjilës të zbuluara gjatë gërmimeve në disa qytete të rrënuara antike në perëndim të Shqipërisë. Sipas tij është e mundur që anija është ngarkuar pranë ishullit grek të Korfuzit dhe është fundosur rrugës për në koloninë korintase në Shqipëri. Materialet arkeologjike të zbuluara janë të shumta dhe sipas drejtuesit të misionit, George Robb, nëse nxirren të gjitha, do të duhet një muze i ri vetëm për to. “Kemi skanuar vetëm 217 km katrorë”, - thotë ai.
Në 5 vitet e ardhshme ky grup kërkuesish ka në projekt të skanojë rreth 354 km bregdet nga kufiri me Greqinë, deri në Mal të Zi. Kostoja ditore e ekspeditës është rreth 25 mijë USD në ditë. “pasi projekti i skanimit të përfundojë, do të diskutojmë mundësinë e nxjerrjes së anijeve të mbytura me robotë nënujorë”, - thotë Auron Tare.
Përgatiti: Alma Mile

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›