E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baçe: Platforma ime për Akademinë

 

Vetëm pak ditë para procesit zgjedhor për kryesinë e Akademisë së Shkencave, akademiku, prof.dr. Apollon Baçe sjell platformën e tij për zhvillimin e këtij institucioni. Koordinimi me institutet, universitetet, homologët ndërkombëtarë, mbushja e boshllëqeve në disa fusha, sipas tij mund ta bëjnë akademinë një institucion aktiv dhe “forumin më të lartë shkencor shqiptar”.
Akademinë e mëparshme e kanë quajtur “honorifike”. Ka rrezik që ajo të mbetet e tillë edhe në vazhdim ?
Nëse me termin “honorifike” kuptoni sendin-stoli pa vlerë reale, atë akademi nuk do ta quaja të tillë, por të kalcifikuar, pa puls dhe vitalitet. Disa prej instituteve të saj, si ata të shkencave albanologjike, kanë pasur një farë prodhimi shkencor ndonëse të çakorduar. Nëse dëshironi të fusni në lojë termin honorifik, një rrezik i tillë do kërcënonte Akademinë e reformuar, nëse ajo nuk do arrinte ta gjente veten. Duke u shprehur figurativisht, Akademia e shkuar ia shpërndante lopatat instituteve bija dhe puna e kryer i faturohej Akademisë. Sot ajo është e zhveshur nga këto institute dhe i ka mbetur lopata vetë në dorë. Si e tillë ajo nuk mund të fshihet më pas konferencave jubilare të përgatitura nga tjetërkush, as edhe të mburret me ndonjë fjalor enciklopedik të nisur 15 vjet më parë. Por, për paradoks, ky dhe është shansi i madh i Akademisë. Nëse Akademia do ta konceptonte veten institut prodhues librash, nëse do t’i lejonte vetes një program të vagëllyer, nëse do menaxhohej ngathët dhe pa puls, fati i saj do të ishte i trishtë.  Për ta shmangur këtë ajo duhet të kuptojë një herë e mirë logjikën e “faktit të kryer”, të largimit përfundimtar prej saj të instituteve bija dhe të flakë tej një herë e mirë konceptin e Akademisë- Institut të bazuar në prodhimtarinë individuale të anëtarëve. Krejt në të kundërt me këtë detyrë themelore të Akademisë, “forumit më të lartë shkencor shqiptar”, është dhënia e verdiktit për problematikën shkencore dhe kërkimore të Kombit: katalizimi i aktiviteteve kërkimore-shkencore të pranuara si tejet të rëndësishëm për zhvillimin e tij; paraprirja e zhvillimeve të ardhshme me studime ndërdisiplinore; ruajtja e hapit të kohës; përkujdesja për formimin shkencor të gjeneratës së re të shkencëtarëve; përfaqësimi dinjitoz i kombit në forumet shkencorë ndërkombëtare dhe faktorizimi i shpejtë.
Ku duhet të mbështetet Akademia për të arritur këta objektivë?
Pilastrat ku duhet të mbështetet Akademia janë pushteti ekzekutiv, institucionet ndërkombëtare dhe vetë ansambli akademik me rrjetin e bashkëpunëtorëve të tij. Raportin e Akademisë me pushtetin ekzekutiv në këto dy dekada nuk do ta quaja brilant. Arsyen për këtë do ta kërkoja së pari në konceptimin e gabuar. Në moskuptimin se Akademia pavarësisht nga autonomia administrative dhe shkencore, ka si funksion organizimin e mendimit shkencor dhe vënien e tij në dispozicion të Qeverisë dhe kombit. Një raport i tillë nuk mund të thjeshtëzohet kurrsesi në suportin financiar të Qeverisë dhe kthimin pas kësaj të Akademisë në “send në vete për vetveten”. Sot, kur çdo gjë matet me vlerën reale dhe dobishmërinë publike, madje edhe në fusha në vështrim të parë jo utilitare si historia ose arkeologjia, ky konceptim do të ishte kryekëput i gabuar.  Raportin Qeveri-Akademi e gjej së pari në dobishmërinë e Akademisë për Kombin dhe Qeverinë dhe kushtet që kjo qeveri i krijon Akademisë për ta arritur këtë dobishmëri. Në mënyrë më precize në dhënien e atributit të Këshilltarit Qeveritar dhe pajisjen me mekanizmat e domosdoshëm ligjorë dhe nënligjorë dhe në pranimin e impulseve këshillimorë dhe mbikëqyrës për problemet madhore social-ekonomike të Kombit dhe strategjitë afatgjata. Këtë raport e gjej në dialogimin e ndërsjelltë ku Qeveria i sugjeron Akademisë problemet themelore drejt të cilave ajo duhet të orientojë veprimtarinë dhe ku Akademia i sugjeron Qeverisë fushat prioritare në të cilat arritjet do ishin më të shpejta; në konsulencën dhe pjesëmarrjen e Akademisë në përpilimin e raporteve ndërdisiplinore; në hartimin prej Akademisë të prognozave të zhvillimeve të pritshme dhe orientimin drejt zgjidhjeve optimale; në ekspertimin e saj të pavarur të gjendjes së shkencës, teknologjisë, edukimit dhe kulturës; në evidentimin dhe përpunimin e metodikave dhe standardeve evropiane në përshtatje me  kërkesat dhe mundësitë potenciale të vendit.
A është e gatshme Qeveria për një dialog të tillë?
Mendoj se po. Sot, pas një tranzicioni të mundimshëm, po kristalizohen premisat e një ekonomie të tipit evropian: është arritur një koncentrim i mjaftueshëm i kapitalit, rrjeti i telekomunikimit po i afrohet standardeve të duhura, është fituar një eksperiencë e mirë menaxhuese, shoqëria është më e hapur ndaj dijes dhe përqindja e të diplomuarve është rritur dukshëm. Shqipëria tashmë mund të quhet anëtare e NATO-s dhe shanset janë që në legjislaturën e ardhshme të fitojë statusin e kandidatit për në BE. Ndërkohë, kërkimi shkencor është i shpërndarë në njësi të vogla dhe të pakoordinuara, impakti i tij në zhvillimin e vendit është minimal, metodika dhe mjetet e kërkimit janë në cak ose jashtë standardeve bashkëkohëse; bashkëpunimi ndërkombëtar rastësor dhe kërkimi universitar në shpërgënj. Me parametra të tillë Shqipëria vështirë se do mund të trokasë në portat e BE-së. Mendoj se reformimin e Akademisë, përkatësisht kërkesën për mendimin shkencor shqiptar, Qeveria e konceptoj pikërisht për t’u paradalë këtyre zhvillimeve të pritshme. Mendimin se Qeveria çmontoi një Akademi inproduktive, me prodhim minimal, për të montuar me pjesët e saja një Akademi aproduktive, pa prodhim as minimal, do ta quaja absurd.
Si pilastër të dytë përmendni organizmat shkencore ndërkombëtarë, si mendoni të bashkëpunoni me to?
Akademia ka një karakter dualist. Vërtet që i përket vendit të saj, por njëkohësisht ajo është edhe pjesë e bashkësisë shkencore ndërkombëtare. Si e tillë, për të qenë sa më e dobishme për vendin: për të ecur me hapin e kohës, për t’i përcjellë metodat dhe standardet bashkëkohëse dhe përfituar fonde për projektet, ajo duhet të lidhet ngushtë me këtë bashkësi. Asaj i duhet të intensifikojë marrëdhëniet me akademitë evropiane dhe panelet ndërakademike dhe të anëtarësohet në institucionet primare dhe grupimet e profilizuara Akademia duhet të synojë përfaqësimin në bordet drejtuese dhe pozicionimin si palë e barabartë në tryezat shkencore duke përfituar të mirat materiale që i takojnë palës së barabartë.
Më parë keni përmendur se Akademisë i përket përkujdesja për kërkimin universitar. A është kjo një detyrë e Akademisë?
Padyshim. Krijimi i një brezi të ri shkencëtarësh duhet të jetë njëra nga aksiomat e Akademisë. Nëse perspektivë e Shqipërisë është krijimi i shtetit modern, shtet modern pa mendim shkencor dhe shkencëtarë klase nuk mund të ketë. Vërtet që Akademia nuk ka asnjë arsye të përzihet në procesin didaktik, por nga ana tjetër, veçanërisht pas aderimit në Kartën e Bolonjës sipas së cilës në sistemin 3 + 2 vitet e dyta i përkasin kërkimit, ajo duhet domosdoshmërish të katalizojë sintezën e procesit të mësimdhënies me punën kërkimore. Universitetet janë organizma të pavarura dhe si i tillë procesi është delikat, i bazuar vetëm në dialogun dhe mirëkuptimin. Një proces i tillë nuk mund të fillojë ballazi, por hap pas hapi, fillimisht në universitetet publikë dhe në disa privatë elitarë, ku stafi akademik është më i pranishëm. Një pjesëmarrje të tillë e lehtëson gjithaq, qenia e mbi 60 % të anëtarëve të Akademisë profesorë universitarë nga më cilësorët. Akademisë i takon po aq të integrojë shkencën akademike me atë universitare nëpërmjet aktivizimit të studentëve në panelet e saja të punës, të sugjerojë tema doktorature dhe të monitorojë shtjellimin e tyre dhe së fundi të ndërhyjë nëpërmjet lidhjeve të saj për sigurimin e bursave cilësore pasuniversitare.
Aktiviteti i Akademisë do bazohet thjesht në anëtarët e saj, apo në një rreth më të gjerë?
Të pretendosh se Akademia përfshin në radhët e saj tërë intelektualët dhe specialistët më të mirë të Shqipërisë, ky do të ishte një pretendim vanitoz. Duke e kundruar medaljen nga ana e kundërt dhe duke i lënë një marzhë të caktuar subjektivitetit, mendimi se anëtarët e Akademisë nuk bëjnë pjesë në rreth 150-200 intelektualët dhe specialistët më të mirë të kombit është po aq absurd. Procesi i pranimit u bazua kryesisht në shkrimet, pa marrë parasysh se qindra operacione brilante ose ndonjë digë hidrocentral mund të kenë vlerë më të madhe se qindra faqe mesatarisht kualitative. Si të tillë pyetjes kush është më i madh një ton apo një kilometër, e kam vështirë t’i përgjigjem. Ndërsa në disa fusha tejet të ngushta ka triplikime, në fusha me rëndësi vitale si sociologjia, ekonomia, psikologjia, demografia dhe drejtësia vakumi është total. Si e tillë Akademia nuk ka si të mos mbështetet në rrjetin e bashkëpunëtorëve, çka kërkon me urgjencë listimin hierarkik të tërë kapacitetit shkencor shqiptar.
Sa i përgjigjet struktura e sotme synimeve të Akademisë?
Strukturalisht, Akademia përbëhet nga dy blloqe kryesorë: shkencat natyrore/teknike dhe ato shoqërore/albanologjike. Kjo strukturë i përshtatej disi menaxhimit administrativo-burokratik të një akademie me institute bija. Por sipas kësaj skeme ekonomistit i takon të japë mendime për gërmimet e qendrave neolitike dhe një gjeologu për aparatin e dializës. Jo më kot Feliks Xherxhinski i niste mbledhjet me në pikë të parë në rendin e ditës: “A duhet të marrin pjesë tërë të pranishmit në këtë mbledhje?”.  Një skemë e tillë që sjell rutinë dhe humbje të kotë kohe, është absolutisht e papërshtatshme për një Akademi, e cila nuk ka më për detyrë menaxhimin burokratik të instituteve në vartësi, por organizimin në shkallë kombëtare të mendimit shkencor dhe vënien e tij në funksion të zhvillimit të shoqërisë. Sipas draft-platformës që kam paraqitur kjo skemë shprishet totalisht dhe veprimtaria e akademisë mbështetet në panele ekspertësh të fushave të ngushta të grupuar në komisione dhe më tej në katër seksionet tradicionalë: shkenca natyrore, teknike, shoqërore dhe albanologjike. Mendoj se një zgjidhje e tillë e zëvendëson procesin formal me një proces lëndor dhe dinamik.
Ç’sjell pozitive e negative ky reformim?
Risi pozitive është hapja e dyerve të Akademisë për shkencëtarët dhe specialistët shqiptarë jashtë vendit, rezultat i së cilës do të jetë përshpejtimi i asimilimit të sistemeve, strukturave, metodave dhe standardeve perëndimorë, detektimi i defekteve nëpërmjet një optike perëndimore dhe lehtësimi i kontakteve me institucionet ndërkombëtare. Përveç mbulimit jo uniform të fushave, të cilin Akademia duhet ta rregullojë me shpejtësi, defekt serioz është trajtimi i diferencuar. Ndonëse disa prej akademikëve të asociuar janë edhe më solidë se një pjesë e akademikëve të rregullt, ndonëse ata duhet të zgjedhin instancat drejtuese dhe mund të zgjidhen në instancat drejtuese, ndonëse duhet të marrin pjesë aktivisht në jetën e Akademisë, ndryshe nga akademikët e rregullt ata nuk marrin kurrfarë shpërblimi.
Më 7 shkurt janë zgjedhjet për kryetar, ku mendoni se do bazohet vota e asamblesë, tek platformat apo lobingu?
Fillimisht u mendua që votimi të kryhej thjesht nëpërmjet listës. Ndërkohë kuorumi akademik, i ripërtërirë në 75 % të tijin, është ende i pahomogjenizuar; anëtarët i përkasin fushave nga më të ndryshmet dhe shkalla e njohjes është e pamjaftueshme për të gjykuar për aftësitë e personit. Kam ngulmuar që ky proces të bazohej kryesisht në platformat e paraqitura për drejtimin e Akademisë. Por mendoj se platforma ka përmasa dydimensionale, larg tridimensionalitetit të kandidatit. Si të tillë lobimin për shpalosjen e ideve dhe vizioneve dhe krijimin e besimit për mundësinë e implementimin të këtyre ideve dhe vizioneve nuk e shoh si mungesë modestie, por si element të kulturës politike perëndimore. Kolegëve të fushave të përafërta të cilët më njohin nga afër, jua kam lënë ta bëjnë vetë bilancin dhe krahasimin. Me kolegët të cilët më njohin shkarazi jam munduar të shpalos idetë dhe mënyrën e implementimit të ideve. Kjo pasi kryetarin e Akademisë e perceptoj si një “primus inter paris”, të parë midis të barabartëve dhe nesër me vënien në jetë të këtyre ideve dhe vizioneve, të drejtë ose të gabuar, do përballen pikërisht anëtarët e Akademisë. Nga ana tjetër mbetem i mendimit se një person edhe mund të jetë subjektiv, por shumatorja e 40 personave të elitës intelektuale shqiptare është detyrimisht objektive.
A ka pasur trafik influencash?
Për stadin e sotëm të shoqërisë ky është një proces rutinor. Nëse me këtë term nënkuptoni ndërhyrjet nga e majta ose nga e djathta do dëshiroja të ketë pasur. Thënia e kreut të ekzekutivit në fillim të ristrukturimit të Akademisë “ristrukturimi është një reformë tërësisht apolitike” presupozon përjashtimin absolut të çdo lloj ndërhyrjeje. Mendoj se edhe nëse ndonjë zell i mundshëm lokal do tentonte diçka të tillë, kjo ndërhyrje do ofendonte rëndë integritetin intelektual dhe moral të një personi elitar siç supozohet të jetë akademiku, ndoshta duke arritur dhe efektin e kundërt. Personalisht nuk do ta doja një ndihmë të tillë.
Ku i shikoni përparësitë tuaja?
Background-i shkencor, i modelit dhe standardit perëndimor, më ka renditur ndër specialistët e njohur evropianë të fushës që mbuloj. Por përparësinë e shoh në aspekte krejt të tjerë. Së pari, në përvojën pozitive të administrimit dhe menaxhimit shkencor. Më tej, në njohjen e praktikave diplomatike dhe gjuhëve të huaja, çka vlen mjaft për hapjen e dyerve të institucioneve të huaja. Së fundi, në një farë poliedrizmi timin. Trillet e fatit, ndoshta edhe temperamenti, më kanë hedhur në fusha nga më të ndryshmet, ndonëse në shumicën e rasteve pa u shkëputur nga profesioni bazë. Për rastin e dhënë ky formim poliedrik ka vlerë, pasi në stadin e dhënë të ristrukturimit dhe vënies në lëvizje të strukturave të Akademisë kërkohet një njohje e gjithanshme e problemeve, qoftë edhe enciklopedike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›