Dorëhiqet Prençi, Hysni Burgaj emërohet Drejtor i Policisë
TIRANE - Ahmet Prençi është larguar dje nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Në vend të tij është emëruar Hysni Burgaj, deri dje zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për Shërbimet Mbështetëse. Shkarkimi i Prençit dhe emërimi i Burgajt në krye të Policisë së Shtetit është vendosur në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Kryeministri Sali Berisha ka firmosur propozimin e Ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha, sipas të cilit Prençi kishte paraqitur dorëheqjen disa javë më parë për arsye shëndetësore, ndërsa dje është vendosur largimi i tij nga puna. Disa orë para vendimit të Qeverisë, në një aktivitet për promovimin e tri botimeve të OSBE-së për policinë, Ministri i Brendshëm Basha tha se reforma në polici do të vazhdojë me qëllim përmirësimin e punës dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Disa orë më vonë Qeveria miratoi shkarkimin e Prençit nga detyra që mbante prej dy vitesh. Sipas burimeve mësohet se muajt e fundit, Prençi i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale, një në Austri dhe një tjetër në Turqi. Pas propozimit për shkarkimin e tij, Basha ka vendosur për detyrën e ardhshme të Prençit, i cili do të jetë këshilltar i Ministrit të Brendshëm. Prençi, nga Drejtor i Policisë së Shkodrës, erdhi në këtë detyrë më 30 mars të vitit 2007, duke zëvendësuar Bajram Ibrajn. Zëvendësuesi i Prençit, Hysni Bugaj, erdhi në detyrën e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në korrik të vitit të kaluar. Burgaj ka një karrierë të gjatë në të gjitha nivelet e Policisë së Shtetit, duke qenë Drejtor i Policisë së Qarkut Kukës dhe Drejtor i Policisë së Qarkut Gjirokastër. Burgaj ka lindur në vitin 1960 në Shkodër. Në vitin 1984 ai ka mbaruar studimet në shkollën e Ministrisë së Brendshme dhe menjëherë pas saj filloi eksperienca e tij në Policinë e Shtetit, duke u emëruar në struktura të ndryshme të saj. Gjatë ecurisë në karrierë, Burgaj ka kryer trajnime dhe specializime brenda dhe jashtë vendit nga organizmat që asistojnë policinë shqiptare, si MAPE, PAMECA, etj. Nisur nga përvoja dhe rezultatet e larta në detyrë, Hysni Burgaj është emëruar dhe ka punuar si drejtor në Drejtorinë e Policisë së Kukësit, detyrë që e ka marrë në dhjetor të vitit 2005 dhe e ka lënë në vitin 2007, kur u emërua Drejtor i Policisë së Gjirokastrës. Këtë detyrë Burgaj e la në korrik të vitit 2008, kur u emërua zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë në Shërbimet Mbështetëse. Sot pritet të bëhet prezantimi i kryepolicit Burgaj në detyrën e re. e.d