Trafiku i hashashit, gjykim të shkurtuar 5 të rinjve
TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi dje kërkesën e mbrojtësve dhe të pandehurve për të aplikuar gjykimin e shkurtuar në procesin në ngarkim të pesë të rinjve të akuzuar për trafikimin e një sasie prej 35 kilogramësh hashash në drejtim të Greqisë. Sipas vendimit të ndërmjetëm të Krimeve të Rënda, pesë të akuzuarit do të përfitojnë ulje të një të tretës së dënimit, nëse do të gjenden fajtorë. Në kërkesën për gjykim, organi i akuzës pohon se lënda narkotike ishte blerë në Lazarat dhe do të trafikohej në Greqi, kur të pandehurit ranë në pranga një vit më parë. Sipas hetimeve Pajtim Hysllari, me banim afër Institutit Bujqësor në Kamzës, Tiranë, kishte lidhje shoqërore me Idris Derxhon, banor i Lazaratit të Gjirokastrës. Në dhjetor 2008, të dy kanë komunikuar në telefon rreth një sasie hashashi, që është blerë nga Pajtim Hysllari, i cili në bashkëpunim me Jetmir Madanin dhe Oljan Muçollarin kanë organizuar trafikimin për në Greqi. Pasi e kanë blerë drogën për 10 mijë euro e kanë ngarkuar në një makinë duke e dërguar në Virua të Gjirokastrës. Aty kanë ndërruar makinë dhe janë nisur në drejtim të Ersekës. Në këtë kohë ka hyrë në rrjet edhe një tjetër person Oljan Muçollari që do kontrollohet rrugën. Sapo kanë arritur në vendin e quajtur Çezma e Leskovikut, Ersekë, policia ka ndaluar fillimisht një nga mjetet dhe pastaj edhe tjetrin ku ishte fshehur droga. Pas kontrollit policët kanë gjetur një sasi prej 35 kilogramësh hashash, duke arrestuar në flagrancë pesë të pandehurit posedues të saj.