E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Remziu gati i vdekur në qelitë e SHIK”

 

Armand Bajrami

Deklarimet e Ylli Xhaxhikës, mjekut që ka vizituar një nga “të rrëmbyerit” e Shërbimit të Fshehtë në vitin 1995 në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, u lexuan dje në procesin gjyqësor të dosjes “Remzi Hoxha” te Krimet e Rënda. Gjykata kishte pranuar në seancën e kaluar leximin e deklarimeve të Xhaxhikës, ish-Shefi i Shëndetësisë në Bazën qendrore të SHIK-ut, për shkak se ai nuk jeton më. Në deklarimet e paraqitura dje, ish-mjeku i shërbimit të fshehtë pohonte se te godina në Lezhë kishte gjetur një njeri rreth 30 vjeç, të dobët fizikisht, por që nuk e kishte mësuar emrin e tij. Porosia për të mos pyetur për identitetin e “pacientit” i ishte dhënë nga eprorët e tij në Tiranë. Po dje gjykata u njoh edhe me deklarimet e Mehmet Hoxhollit, ish-drejtor i SHIK në Tiranë, pasi ky i fundit nuk mund të paraqitej në gjykatë për arsye shëndetësore.
DËSHMIA E MJEKUT
“Për një periudhë 6-vjeçare kam punuar si Shef i Shëndetësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të SHIK-ut. Në atë detyrë kam filluar në vitin 1992 dhe kam deri në vitin 1996. Diku rreth fundit të vitit, me sa më kujtohet, 1995 isha në punë paradite kur mora urdhër nga eprorët e mi, që do të shkoja me disa oficerë të Drejtorisë së SHIK-ut të Tiranës, në një vend, pa më përcaktuar se ku. Nuk më kujtohet se cili nga eprorët më ka urdhëruar. Jemi nisur me një autoveturë. Mbaj mend që rrugës ecnim shumë shpejt. Kemi shkuar te një vilë afër hotelit të gjuetisë Lezhë. Ishte një vile njëkatëshe me shumë dhoma, ndërsa oborri i jashtëm i saj ishte i mbuluar nga bari. Personat që ishin me mua e që u nisëm nga Tirana, duhet të ishin të SHIK-ut të Tiranës. E them këtë pasi ata u kthyen përsëri me mua në Tiranë. Në një nga dhomat e asaj vile, kur futeshe drejt djathtas, kishte vetëm një krevat pranë një dritareje me kangjella të trasha. Aty ishte një person i ri në moshë rreth 30 vjeç. Më kujtohet se ishte shumë i palarë. Fillimisht ishte vetëm me të mbathura dhe më pas pasi e lanë ai mbante veshur një palë bizhama spitali. Mbaj mend që ai kishte debulesë të përgjithshme dhe kur e vizitova nga barku, vura re që ai përfund barkut kishte një shenjë si të një operacioni të vjetër. Nuk e kujtoj, nëse e kishte në anën e majtë a në të djathtë. Pas vizitës konstatova se ai ishte një trup i lodhur, dobësi trupore të përgjithshme, dhe unë rekomandova ilaçet që duhet të përdorte. Nuk e di se kush ia bleu ilaçet dhe se ku i bleu ato. Unë isha porositur nga oficerët e shërbimit në Tiranë dhe nga që udhëtuan me mua që të mos pyesja për emrin e të sëmurit. Nuk e kujtoj se çfarë dialekti kishte. Mbaj mend se personi që i jepte makinës kur shkonim për Lezhë, kur u kthyem për Tiranë nuk ishte më në makinë me ne”. 

Paraqiten pyetjet për Avdyl Loshajn
TIRANE – Prokuroria për Krimet e Rënda paraqiti përpara gjykatës të gjitha pyetjet që do t’i dërgohen me letërporosi në Holandë, Avdyl Loshajt, dëshmitarit kyç të këtij procesi. Pyetja me letërporosi për Loshajn u vendos nga gjykata pasi realizimi i lidhjes me anë të videokonferencës nuk ishte i mundur. Në pyetjet e përgatitura prokuroria kërkonte sqarime për njohjen e dëshmitarit me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopulin, apo edhe për dijenitë e tij, në lidhje me ndonjë aktivitet kriminal në dëm të shtetit shqiptar. Ndërsa avokatët e të pandehurit Ilir Kumbaro kërkuan dje të jenë prezentë në Holandë gjatë ekzekutimit të letër-porosisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›