E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e interesave, më shumë kredi e më pak depozita

 

Ulja e normës bazë të interesit ka si efekt kryesor rritjen e kërkesës në ekonomi. Si rrjedhojë, shtimi i kërkesës krijon një reaksion zinxhir në rritjen e vëllimit të shitjeve, të tregtisë dhe prodhimit. Ulja e normës bazë të interesit nga banka, ka si qëllim kryesor rritjen e aktivitetit ekonomik të vendit.
Efektet pozitive
Ulja e normës bazë të interesit, teorikisht, duhet të sjellë uljen e të gjithë interesave të depozitave, bonove të thesarit dhe kredive. Pas vendimit të Bankës së Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë do ta kenë më të “lirë” koston e veprimeve javore mes tyre. Pra, do të marrin borxh nga njëra-tjetra me më pak interes. Nga ana tjetër, ulja e interesit ndërbankar do të sjellë edhe uljen e normës së interesit për depozitat. Si rrjedhojë, interesi i depozituesve, pra individëve dhe bizneseve për të mbyllur paratë në banka do të bëhet më i ulët. Ky efekt, pra rritja e parasë në qarkullim, do të shtojë konsumin. Ata që nuk do t’i mbajnë paratë në banka, do të rrisin shpenzimet e tyre. Kjo sjell një tjetër efekt zinxhir, atë të rritjes së prodhimit dhe tregtisë. Pra, më shumë aktivitet ekonomik dhe si rrjedhojë më shumë zhvillim ekonomik privat i vendit. Rritja e aktivitetit ekonomik sjell rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, si rrjedhojë e taksmit. Rritja e të ardhurave në buxhet do të thotë më pak kërkesë për borxh. Ky i fundit ndikon në uljen e kërkesës për bono thesari, të cilat janë indikatorët për vendosjen e normës së interesit për kreditë në lekë. Më pak kërkesë për bono thesari do të thotë më pak interes i paguar për to. Kjo sjell indirekt uljen e interesit për kreditë në lekë. Ulja e interesit për kreditë në lekë sjell rritjen e kërkesës për kredi. Pra, teorikisht, ulja e normës bazë të interesit, në një ekonomi të shëndoshë, sjell uljen e interesit të depozitave dhe të kredive, dhe një frymëmarrje më të madhe për ekonominë, duke shtuar konsumin.
Efektet negative
Zhvlerësimi i lekut, pra shtimi i ofertës në treg, ka një efekt të kundërt në kursin e këmbimit. Vendimi për uljen e normës bazë të interesit do të sjellë zhvlerësimin e mëtejshëm të lekut në krahasim me monedhat e forta, si euro apo dollarë. Më shumë lekë në treg, dhe e njëjta ofertë e valutës, sigurisht që do të shtrenjtojë këto të fundit. Nga ana ekonomike, zhvlerësimi i lekut sjell rritjen e leverdishmërisë për eksporte. Por zhvlerësimi i lekut sjell edhe shtrenjtimin e importeve dhe si rrjedhojë edhe rritjen e çmimeve, pasi Shqipëria importon shumicën dërrmuese të mallrave të konsumit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›