E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, leku 0.5% më i lirë

 

Banka e Shqipërisë vendosi dje, pas presionit disamujor të biznesit, uljen me 0.5 për qind të normës bazë të interesit. Vendimi u argumentua si në kohën e duhur nga Guvernatori Fullani, i cili shtoi se ky hap do të sillte një frymëmarrje të re për ekonominë. Pas kësaj ulje, norma bazë e interesit bëhet 5.25 për qind. Por, guvernatori, gjatë prezantimit të djeshëm la të kuptohet qartë, se vendimi për liberalizimin e lekut do të varet thellësisht nga politikat fiskale të Ministrisë së Financave. E thënë ndryshe, pas këtij vendimi do të jetë politika fiskale e Bodes ajo që do të ketë në dorë efektet e tij në ekonomi.
Pse u ul interesi
Sipas Guvernatorit, të gjithë parametrat ekonomikë të vendit janë më optimistë se në periudhën paraardhëse, perspektiva afatgjatë e zhvillimit të ekonomisë shqiptare mbetet pozitive dhe stabiliteti makrofinanciar është një pikënisje e mirë për nxitjen e zhvillimit të vendit në periudhën e ardhshme. Guvernatori shtoi se, në një masë të madhe, ky zhvillim do të varet nga aftësia e ekonomisë shqiptare për të tërhequr fonde, të cilat do të mbështesin rritjen e saj. “Lehtësimi i sotëm i kushteve monetare ndërmerret në përputhje me dinamikën e zhvillimeve ekonomiko-financiare në vend, në partnerët tanë kryesorë dhe më gjerë në ekonominë globale. Ky vendim përbën një stimul të ri për zhvillimet ekonomike në vend, duke synuar një ulje të mëtejshme të kostos së financimit të ekonomisë”. Banka e Shqipërisë në analizën e saj gjykon se stabilizimi i treguesve të likuiditetit dhe atyre të bilancit të sistemit bankar duhet t’i hapë rrugë procesit të kreditimit. “Lehtësimi i kushteve monetare do të favorizojë rritjen e kërkesës së bizneseve dhe të konsumatorëve për fonde, ndërkohë që injektimet tona të likuiditetit i mundësojnë sistemit bankar t’i përgjigjet në aspektin sasior kësaj kërkese për fonde. Sistemi bankar shqiptar duhet ta kuptojë drejt rolin e tij, duke transmetuar të plotë dhe me shpejtësi këtë lehtësim të politikës monetare në ekonomi”. Në fakt, në analizën që i bëhet ekonomisë nga Banka e Shqipërisë, nga fillimi i vitit vihet re një tkurrje e kreditimit. “Ngadalësimi i kredisë për sektorin privat ka vijuar me të njëjtin ritëm gjatë muajve korrik-gusht 2009, duke reflektuar si shtrëngim të ofertës për kredi, ashtu edhe tkurrje të kërkesës për të. Së bashku me reduktimin e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve të raportuar nga bizneset në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë, ky zhvillim sinjalizon se investimet e sektorit privat në ekonomi paraqiten në rënie. Bankat vazhdojnë të aplikojnë kushte të shtrënguara për dhënien e kredisë, ndërkohë që njëkohësisht evidentohet rënie e kërkesës për konsum dhe investime nga sektori privat”.
Në dorë të Bodes
Guvernatori në fjalën e tij theksoi qartë se ulja e normës bazë të interesit, bëhet për të rritur kreditimin në lekë të ekonomisë. Por, vetë ai pranon se kjo gjë do të varet direkt nga politika fiskale. E thënë ndryshe, nga menaxhimi i buxhetit dhe ulja e kërkesës së qeverisë për bono thesari. Në analizën e tij për pjesën e parë të këtij viti, Fullani nënvizoi se nevojat për likuiditet në tregun ndërbankar kanë rezultuar në ulje, duke mos ushtruar presion te normat afatshkurtra të interesit. “Situata paraqitet e kundërt në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë, ku pavarësisht likuiditetit të mjaftueshëm, yield-et e bonove të thesarit me maturitet afatgjatë kanë rezultuar në rritje. Në ankandin e fundit të muajit shtator, yield-i 12-mujor shënoi 9.40 për qind, ose 0.64 pikë përqindjeje më lart se fundviti 2008”. Interesi i boneve është rritur nga kërkesa e madhe e qeverisë për të financuar deficitin buxhetor. Pra, qeveria ka bërë më shumë shpenzime se sa ka patur të ardhura. Por norma e interesit të kredive varet direkt nga norma e interesit të bonove të thesarit. Sa më e lartë të jetë kërkesa e qeverisë për para me anë të bonove të thesarit, aq më i lartë do të jetë interesi i tyre dhe, si rrjedhojë, aq më i lartë do të jetë interesi i kredive në lekë. “Të ardhurat buxhetore kanë patur një ecuri më të ngadaltë se shpenzimet, si pasojë edhe e ngadalësimit të ritmit të rritjes ekonomike gjatë kësaj periudhe. Për rrjedhojë, shtimi i shpenzimeve buxhetore është financuar nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të privatizimit dhe të rritjes së huamarrjes publike. Kjo politikë ka ushtruar presion për rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të borxhit të qeverisë me afat të gjatë maturimi. Vazhdimi i kësaj politike në të ardhmen do të përballet me potenciale më të pakta financimi, si të tregut shqiptar, ashtu dhe atij të huaj. Ky fakt shtron nevojën për një kthim të shpejtë në trajektoren konsoliduese që ndoqi politika fiskale në vitet që i paraprinë parakrizës”, theksohet në analizën e djeshme të Bankës së Shqipërisë. Për këtë arsye, Fullani e tha hapur dje se e gjithë politika e Bankës së Shqipërisë për uljen e normës së interesit dhe nxitjen e ekonomisë, do të varet nga buxheti i ri dhe menaxhimi i financave. “Një presion më i ulët i sektorit fiskal në tregjet financiare vendase në të ardhmen do të ulë primet e rrezikut në ekonomi, do të krijojë më shumë hapësira për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë dhe do të favorizojë sheshimin e kurbës së normave të interesit, në favor të uljes së mëtejshme të kostos së kredisë. Efektiviteti i vendimit të sotëm do të varet nga sjellja e tregut dhe pjesëmarrësve në të, ku politika fiskale ka një rol parësor”, theksoi Fullani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›