E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vila: “Dua Italinë në Euro 2012”



Emiljano Vila, një nga mesfushorët e talentuar të Kombëtares shqiptare (21 vjeç, 3 ndeshje me Kombëtaren, 1 gol) bëri zgjedhjen e tij përsa i përket ekipeve që mund të jenë kundërshtarë të Shqipërisë në shortin për kualifikueset e Euro 2012. “Dua Italinë në grup, jo vetëm për faktin se jam tifoz i këtij vendi në arenën ndërkombëtare, por dhe për faktin tjetër se Shqipëria nuk ka luajtur asnjëherë kundër tyre me Kombëtaren e madhe”, - tha Emiljano Vila, i cili tashmë luan si huazuar te Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci. Vila, i cili shënoi një gol me Kombëtaren B në miqësoren të përfunduar 3-3 kundër Milanit dhe një tjetër gol për Kombëtaren A në fitoren 6-1 kundër Qipros nga vazo 2 zgjodhi kundërshtar Greqinë, nga vazo 3, Izraelin, nga vazo 4, Qipron dhe nga vazo 6, Ishuj Faroe.

SI KANË ZGJEDHUR
LOJTARËT E KOMBËTARES

Debatik Curri:
Rusia, Serbia, Austria, Qipro, San Marino

Emiljano Vila:
Italia, Greqia, Izraeli, Qirpo, Ishujt Faroe

Të gjithë të çmendur për Anglinë e Kapelos

Aventura e Shqipërisë në kualifikueset e Kampionatit Botëror 2010 përfundoi me vendin e parafundit në grupin 1 (lamë pas vetëm Maltën), ndërkohë që përpara Kombëtares sonë një tjetër fushatë eliminatore është në prag: ajo e Kampionatit Europian 2012, finalet e të cilit do të luhen në Polonia dhe Ukrainë. Ndeshjet ndërkombëtare gjithmonë janë një vitrinë e madhe për shumë lojtarë të ekipit përfaqësues. Agjenti i FIFa-s, Mario Cenolli, një nga bashkëpunëtorët e agjencisë së menaxhimit të lojtarëve “Vata Vision Football Menagement”, sheh Anglinë e Fabio Kapelos si kundërshtarin e luksit për Shqipërinë në shortin e Euro 2012.
“Anglia është një nga ekipet më të mëdha në botë dhe pretendentja kryesore për fitimin e Kampionatit Botëror. Kjo u pa qartë edhe në eliminatoret e Kupës së Botës. Për momentin ka grupin më të mirë të lojtarëve dhe në Britaninë e Madhe janë të etur për të qenë ata kampionë të botës. E kanë fituar vetëm një herë në vitin 1966. Do të ishte një gjë e jashtëzakonshme për ne, nëse Anglia do të shpallej kampione bote e t’i fillonte më pas eliminatoret e Europianit me një ndeshje me Shqipërinë. Do të përsëritej e njëjta histori si me Greqinë, kur ajo u shpall kampione e Europës. Gjithsesi pretendentë të mëdhenj në Botëror janë dhe Gjermania, Italia, Brazili, Spanja e Argjentina”, - theksoi Cenolli, duke iu rikthyer kujtimeve të asaj fitoreje të paharrueshme e simbolike 2-1 kundër Greqisë, më 4 shtator 2004.
“Nga ana tjetër, Anglia do të ishte edhe një burim i mirë financiar për të drejtat televizive për Federatën Shqiptare të Futbollit, përveç bumit mediatik, pasi në “Qemal Stafa” do të vinin të luanin emra të mëdhenj si Xhon Terri dhe Frenk Lampard të Çelsit, Uejni Runi dhe Rio Ferdinand të Mançesterit, Teo Uallkot i Arsenalit. Lorik Cana, i cili tashmë luan në Angli me Sandërlendin e di impaktin ndërkombëtar që ka futbolli britanik. Uembli i rikonsruktuar është shumë joshës dhe të luash aty të mbetet në kujtesë gjithë jetën. Blendi Nallbani, të paktën e ka të gdhendur emrin përjetësisht aty si portieri më i ri në moshë që ka luajtur në Uemblin e vjetër”. Në katër ndeshje zyrtare kundër Anglisë, Shqipëria nuk ka fituar asnjëherë, duke shënuar vetëm 1 gol kundrejt 12 të pësuarve nga ishullorët britanikë. Takimi i fundit me Anglinë, ka qenë ai kundër versionit B, të humbur 3-1 në “Turf Moor”. në maj të vitit 2007, kur Shqipëria drejtohej nga Oto Bariç dhe Anglia e asaj kohe nga Stiv Meklaren.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›