Dorëhiqet qeveria palestineze
Kryeministri palestinez Salam Fajad ka paraqitur sot dorëheqjen e qeverisë, disa muaj përpara se palestinezët të mbajnë zgjedhjet e përgjithshme.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, pritet të kërkojë nga Fajad që të mbetet në postin e kryeministrit, të cilin e mban nga viti 2007.
Javën e kaluar, Autoriteti Palestinez tha se do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare deri në shtator, por grupi militant Hamas, i cili e ka pushtetin në Rripin e Gazës , i hodhi poshtë të gjitha format e votimit që do të thirren nga Ramallahu.