E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëhiqet shefi i ushtrisë gjermane

Personi më i fuqishëm i ushtrisë gjermane ka dhënë dje dorëheqjen pas akuzave në lidhje me një sulm të NATO-s në Afganistan.
Largimi i Wolfgang Schneiderhan, shefi i forcave të armatosura gjermane dhe një zyrtar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes u detyruan që të ndërmarrin një veprim të tillë pas lajmeve se ushtria nuk kishte qenë transparente në lidhje me sulmin ajror të NATO-s më 4 shtator në Afganistan. Këto lëvizje kanë ndodhur ndërsa Kancelarja Merkel po merr në konsideratë dërgimin e trupave shtesë në Afganistan. E pyetur në lidhje me lajmet e fundit, Merkel nuk ka dashur që të bëjë komente.
Sulmi ajror në fjalë ishte një sulm i urdhëruar nga një komandant gjerman dhe u zbatua nga një avion amerikan luftarak F-15 dhe ishte më i përgjakshmi në të cilin u përfshinë trupat gjermane që nga Lufta e Dytë Botërore. Si pasojë e këtij sulmi humbën jetën 76 talebanë dhe 30 civilë, sipas burimeve të qeverisë afgane. Por i gjithë problemi qëndron se gjatë ditëve që pasuan këtë sulm, ushtria gjermane në mënyrë të vazhdueshme mohoi faktin se prej këtij sulmi kishin mbetur të vrarë edhe civilë. Gazeta gjermane "Bild" raportoi dje, pak para nisjes në Parlament të debatit për dërgimin e trupave shtesë në Afganistan, se video sekrete dhe raporte ushtarake të papublikuara tregojnë qartë se pas sulmit pati edhe shumë viktima civile dhe se ushtarakët e lartë gjermanë pavarësisht kësaj e kishin mohuar një gjë të tillë. Ministri i ri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, që mori detyrën një muaj më parë, pranoi ekzistencën e raporteve dhe tha se ai personalisht nuk kishte qenë në dijeni të fakteve për viktimat civile deri ditën e mërkurë. Para Parlamentit gjerman ai tha se përveç numrit një të ushtrisë ka dhënë dorëheqjen edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Peter Wichert. "Raporti sekret ushtarak nuk ishte paraqitur në nivelet e larta qeverisëse dhe për këtë arsye përgjegjësia është marrë nga zyrtarët e një niveli më të ulët", ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes. Partitë e opozitës kanë kërkuar për hapjen e hetimeve parlamentare, si dhe kanë kërkuar një deklaratë nga ish-ministri gjerman i mbrojtjes, Jung, para deputetëve në lidhje me situatën dhe dijeninë e tij. Tashmë është e qartë që ish-ministri ka qenë në dijeni të ekzistencës së dokumenteve, por injoroi pjesën e tyre ku flitej për vrasjet e civilëve. Ndërsa në një konferencë për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Rasmunsen, Merkel tha se ajo mbështeste ministrin e saj aktual në përpjekjen për të sqaruar çështjen dhe në marrjen e hapave të duhur. Ai priste që ish- ministri Jung të ishte i hapur dhe të jepte sqarime në lidhje me çështjen. "Ngjarjet në Afganistan kanë nevojë për një transparencë të plotë", ka shtuar Merkel. Gjermania ka 4500 trupa në Afganistan, por sipas asaj çka pritet ky numër mund të rritet sërish pas një rishikimi të strategjisë. Të martën e ardhshme edhe Presidenti amerikan, Obama, pritet që të shpallë rishikimin e pranisë së trupave amerikane në Afganistan dhe ndoshta dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në këtë vend. Për sa i përket Gjermanisë, misioni i trupave gjermane në Afganistan gëzon gjithnjë e më pak popullaritet te njerëzit dhe Gjermania sigurisht që nuk është vendi i vetëm. Të gjitha vendet perëndimore që kanë çuar bijtë e tyre në Afganistan janë në shumicë kundër dërgimit të trupave sidomos duke qenë se 2 vitet e fundit dhuna e talebanëve është përshkallëzuar dhe ka shkaktuar viktima të shumta si për sa u përket civilëve, ashtu edhe ushtarëve të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›