E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëpunësit: Boll na trazuat shpirtin me akuza

Punonjësit e Bashkisë së Tiranës, dje kanë bojkotuar punën për një orë rresht. Të gjithë bashkë, nëpunësit e bashkisë më të madhe në vend kanë protestuar para godinës duke bërë publik edhe një peticion në adresë të qeverisë. Tepër të shqetësuar punonjësit kanë kërkuar më shumë respekt për punën dhe kontroll të gjuhës së përdorur lidhur kontributin e tyre pranë kryes së detyrës. Ndalja e agresionit verbal, të akuzave ekstreme e të shpifjeve vulgare ishin kërkesat kryesore që i drejtuan dje nëpunësit e Bashkisë së Tiranës, qeverisë aktuale.

"Ne jemi ata që me përkushtimin ndaj detyrës, ndërtojmë çdo ditë Tiranën që duan të gjithë, por fatkeqësisht, jemi ne ata që dëgjojmë nga ekranet televizive akuza monstruoze që na kanë trazuar prej vitesh shpirtërisht e familjarisht", tha drejtoresha e përgjithshme e shërbimeve mbështetëse, Viola Haxhiademi. Kjo deklaratë u bë dje pas nënshkrimit të një peticioni nga punonjësit e këtij institucioni. Ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës për të kërkuar respektimin e punës dhe personalitetit të tyre, pasi, sipas tyre, qeveria i ka cenuar thellësisht këto të fundit. "Ne jemi ata që pastrojmë çdo natë Tiranën, që ndërtojmë e mirëmbajmë çerdhet, kopshtet, shkollat dhe mirëpresim çdo vit në dyert e bashkisë, individualisht 70 mijë qytetarë", theksoi drejtoresha Haxhiademi. Punonjësit i kërkuan pushtetit qendror të heqë dorë nga akuzat dhe shpifjet e pabaza. Sipas tyre, shteti duhet të garantojë dinjitetin njerëzor e profesional dhe jo të shpifë mbi ta.

"Ne, nëpunësit dhe punëtorët e Bashkisë së Tiranës kërkojmë sot vëmendjen e opinionit publik dhe të ndërkombëtarëve mbi një sërë akuzash dhe shpifjesh që ka lëshuar prej vitesh qeveria qendrore ndaj nesh", deklaroi drejtoresha. Sipas saj, punonjësit e bashkisë nuk do të heshtin më, pasi dinjiteti i tyre është cenuar rëndë. Për këtë arsye, nëpunësit i kërkuan qeverisë të ulë agresionin verbal ndaj Bashkisë së Tiranës. "Ne jemi sot këtu, në emër të 2633 qytetarëve në detyrë, për të kërkuar respektimin e personalitetit dhe punës tonë", shtoi Haxhiademi. Nëpunësit e bashkisë e vunë theksin jo vetëm në respektimin e lirive të tyre si njerëz, por edhe në respektimin e Kushtetutës e të kartës së autonomisë vendore.

Sh. Mezini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›