Kukës, punëtorët e "Rrugës së Kombit" mbeten pa rroga
Kompanitë që po punojnë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, po përballen me vështirësi të mëdha financiare, aq sa disa syresh nuk arrijnë të paguajnë prej muajsh punëtorët. Nga burime konfidenciale mësohet se të paktën në kantieret e aksit Kukës-Morinë, një numër punonjësish nuk paguhen prej më shumë se tre muajsh, ndërkohë që mungesa e parave po ndikon edhe në cilësinë e punës. Vonesa e mbulimit të investimeve publike me buxhet aktiv nuk është një dukuri e re, madje as dukuri për sektorë të veçantë. Është pothuajse një dukuri shqiptare e tranzicionit, që për fat të keq po dëmton dukshëm investimet në infrastrukturën rrugore, siç është rasti i rrugëve kombëtare në rajonin e Kukësit. Tre vjet më parë, kur nisi të përvijohet autostrada e sotme, për segmentet nga Kukësi në Morin, për shumë kohë kompanitë kanë punuar me buxhetet e tyre. Të paktën ky është një problem që në atë kohë u bë pengesë për ecurinë e gërmimeve. Kjo ndoshta ka qenë edhe një nga shkaqet pse kompania e njohur "Kastrati", pas dy vjetësh qëndrimi në zonë, tërhoqi një pjesë të makinerive drejt investimeve të tjera. "Makineritë por rrinë kot, po ndryshken, kjo ka një kosto, prandaj po i transferojmë", pati thënë në atë kohë një manovrator i kësaj kompanie, duke shtuar se për shumë kohë kompania ka punuar me paratë e veta. Mungesa e likuiditetit u shfaq më shumë te një pjesë e nënkontraktorëve pas largimit të kompanisë së parë. Ishte pothuajse krejt e rëndomtë të dëgjoje punëtorët që thoshin: "Nuk kemi marrë rrogat prej tre muajsh...". Vonesa në likuidimin e punimeve ndoshta lidhet edhe nevojat e shpejta, më shpejt se historikisht, me të cilën burokracia shqiptare ende nuk është mësuar të operojë. Por kjo gjë ka dëmtuar cilësinë e investimeve, e në rastin tonë konkret të autostradës për pjesën Kukës-Morin. Tre muaj pas funksionimit të aksit, dëgjon ish-punëtorë të thonë se ende nuk janë paguar. Dhe kanë punuar me një kompani e cila ka qenë, siç tregojnë, nënkontraktor i tretë. "Na kanë thënë që kur të çelet fondi, do ju paguajmë", tha një punëtor nga fshati Muje. Edhe kompania "Granit", e cila është duke ndërtuar urat e autostradës nga Kukësi në Morin, ka pasur periudha delikate të punës dhe vonesa që lidheshin, ndonëse jo në mënyrë përcaktuese, edhe me vonesat likuiduese. Po ashtu, nga një pohim i fundit në mënyrë konfidenciale, mësohet se edhe kompanitë që ndërtojnë rrugën Kukës-Krumë, për shumë muaj nuk janë paguar. Fillimisht kjo mungesë likuiditeti u motivua jozyrtarisht me situatën paszgjedhore, por të paktën ata nuk e ndërprenë punën, pasi kanë shfrytëzuar burimet e tyre. Mungesa e likuiditetit lexohet jo rrallë edhe me mungesë fondesh. Në veçanti për sektorët publikë dhe ata buxhetorë. Kështu, në një takim të kohëve të fundit në Këshillin e Qarkut në Kukës, mësohet se qeveria u detyrohet disa operatorëve vendorë një shumë të caktuar të hollash, pasi, siç u tha, "kanë hyrë borxh te subjektet private për pastrimin e rrugëve nga dëbora gjatë dimrit të shkuar". Për t‘u rikthyer tek autostrada, mungesa e likuidimit, apo mungesa e kapaciteteve të vetë ndërtuesve, ka çuar në realizimin e një pune me cilësi të dyshimtë, pasojat e së cilës po duken ende pa u vënë plotësisht në punë ky aks.