Zihet me bashkëshortin, tenton vetëvrasjen
Gruaja 20- vjeçare nga Berati ka pirë një lugë helm dhe ndodhet në spitalin rajonal në gjendje të rëndë shëndetësore
BERAT- Pas një periudhë të gjatë grindjesh e debatesh me bashkëshortin, një 20- vjeçare vendos të pijë lëngun helmues dhe për momentin ndodhet në spital në gjendje koma.
Sipas mjekëve, gruaja ka pirë "cepermetrin", duke dashur të vrasë veten.
Burime të policisë bëjnë të ditur se shtetasja Sanije Avdyli, 20 vjeç, nënë e një fëmije, banore në fshatin Molishtë, pas një grindjeje me bashkëshortin, ka vendosur t'i japë fund jetës duke konsumuar një lugë nga lëngu helmues që përdoret për luftimin e insekteve.
Veprimi ekstrem është ndërmarrë pasi ajo nuk ka mundur të zgjidhë mosmarrëveshjet me bashkëshortin e saj, të cilin e kishte paralajmëruar se, kështu siç po rridhnin ngjarjet një ditë do të vriste veten.
Duke parë se i shoqi nuk do t'ia dinte për kërkesat e saj, gruaja ka zgjedhur kohën e drekës, kur në orën 13- 00 ajo është futur në dhomë dhe pasi ka vënë fëmijën në gjumë, ka marrë lëngun helmues dhe e ka pirë atë. Veprimi është kryer me dyer të mbyllura për të mos u kuptuar dhe për të mos trembur fëmijët.
Pas pirjes së helmit të insekteve, 20- vjeçarja është penduar dhe në gjendje të shtrirë ka kërkuar menjëherë ndihmën e familjarëve, të cilët sapo kanë dëgjuar britmat, kanë shqyer derën e dhomës dhe e kanë transportuar menjëherë për në spitalin rajonal të Beratit.
Mjekët i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore me një terapi intensive, për faktin që ajo ndodhet në gjendje koma dhe rrezikon të humbasë jetën. Mjekët thanë se 20- vjeçarja, pavarësish kujdesit të mjekëve specialistë, do të vazhdojë të ketë probleme për shëndetin.
Në spital ka shkuar dhe grupi hetimor i cili ka marrë në pyetje bashkëshortin e saj dhe familjarë të tjerë, për të arritur në një përfundim sa më të saktë, për shkakun e vetëhelmimit. Ky është rasti i 12 i vetëhelmimit në qarkun e Beratit.