E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëshkrimet bizantine në ekspozitë

Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të ruajtur dhe zhvilluar dokumentat dhe faktet historike të kombit. Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit Berisha në ekspozitën e çelur në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri” ku jane ekspozuar 44 kodike te periudhes historike nga shekulli VI deri në shekullin e XVIII, mes te cileve edhe dy kodikët Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESCO-s.

“Dokumentet që ju paraqisni sot, para nesh, janë një dëshmi e pavdekësisë së kombit shqiptar. Të shkruara shekuj e mijëvjeçarë më parë, të shkruara në greqisht dhe latinisht, në çdo germë, ato mbartin në vetvete krijimin shqiptar. Dora mjeshtërore e shqiptarëve që i shkruan ato, bëri të mundur që ato të ruhen, të njihen në mbarë botën dhe disa prej tyre t’i përkasin memories së njerëzimit. këto dokumente dëshmojnë se, ndonëse mbi trungun e kombit ra një vijë ndarëse, vijë e cila ndau kishën, por kombi mbeti një dhe i pandarë. Dhe kjo është një dëshmi tjetër madhore e dokumenteve që ne shohim sot. Më vonë, jashtë këtij konteksti, një doktrinë tjetër fetare u kontraktua nga shqiptarët. Sërish, kombi mbeti një dhe i pandarë. Të vendosura edhe në këtë kontekst, dokumentet, që ne shohim sot, shkëlqejnë edhe më shumë, marrin një vlerë e më të madhe” tha Berisha.

Ekspozita ka për qëllim njohjen e studiuesve dhe publikut me një pjesë të pasurive dokumentare, që lidhen me traditën dhe historinë e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine. E pranishme në celjen e ekspozitës ishte edhe kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli si dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe studiues.

Elona Mamushi

Azhornuar së fundi ( e martë , 04 maj 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›