Parakalimi i makinave, plagoset me thikë i riu
Një i ri është plagosur ditën e djeshme te Rruga e Durrësit, pas një konflikti të momentit. Kujtim Luku ka mbetur i plagosur me thikë, pas sherrit që mendohet se ka ardhur për parakalim makinash. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja është njoftuar paradite dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë nga Komisariati Nr.2. Sipas të dhënave, konflikti ka ndodhur në Rrugën e Durrësit, pranë shkollës “Qemal Stafa”. Një parakalim makinash ka ndodhur aty dhe drejtuesit e dy mjeteve kanë filluar të zihen. Gjatë konfliktit, njëri prej tyre mendohet se ka nxjerrë thikën dhe ka goditur tjetrin. Autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që i dëmtuari është dërguar për në spital, dhe sipas të dhënave, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij.
#