Dorështrëngimi i detyrueshëmNga Baton HaxhiuE lexova me vonesë shkrimin e Armand Shkullakut, “Faktori Berisha në zgjedhjet kosovare”. I familjarizuar me problemet shqiptare dhe duke i njohur mirë ato probleme, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, Sh
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Dorështrëngimi i detyrueshëmNga Baton HaxhiuE lexova me vonesë shkrimin e Armand Shkullakut, “Faktori Berisha në zgjedhjet kosovare”. I familjarizuar me problemet shqiptare dhe duke i njohur mirë ato probleme, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, Shkullaku vendosi kujdesshëm fuqinë politike të kryeministrit Berisha mbi fuqinë politike të një lideri politik, jo vetëm të shtetit shqiptar.
Duke qenë i tillë Berisha, Shkullaku prek idenë e moçme që përflitet prej kohësh në Kosovë dhe në Maqedoni, nëse i duhet këtyre dy vendeve dhe shqiptarëve jashtë Shqipërisë një super-lider, i cili ndikon në politikën e Kosovës dhe atë të shqiptarëve të Maqedonisë. Ky liderizëm dikur quhej paternalizëm, por tash ka marrë trajtë më të sofistikuar - Lider Miqësor i Kosovës.
Në shkrimin e tij, Shkullaku shtron dilemën: “A duhet Tirana ose më saktë kryeministri, Sali Berisha, qoftë edhe në mënyrë indirekte të përfshihet në ndjeshmëritë politike të Prishtinës?”
Nuk e di a është Berisha ai që duhet t’i vendosë këta parametra të fuqisë së tij. Çështja më e drejtë që do duhej shtruar realisht nuk është se a duhet Berisha të jetë një lider me ndikim në Kosovë, por a duhen liderët tanë, atëherë kur e humbin ndikimin e tyre në vend, ta përdorin fuqinë dhe karizmën e Berishës për të qenë të suksesshëm brenda politikës kosovare dhe asaj shqiptare në Maqedoni?
Konstatimi i Shkullakut se “Berisha sot, veçanërisht pas rrugës Durrës-Morinë, ndoshta gëzon reputacionin më të madh që ndonjë lider i Shqipërisë ka patur në Kosovë. Këtë simpati ndaj kryeministrit shqiptar (që lidhet dhe me arsye të tjera, si p.sh., atë krahinore) e kanë si ata kosovarë që votojnë për LDK, ashtu edhe ata që votojnë për PDK apo AAK”, do të ishte krejtësisht i qëndrueshëm sikur vetë liderët kosovarë të mos kërkonin ndikimin e Berishës te qytetari i Kosovës përmes shtrëngimduarve dhe deklaratave për afërsinë me të.
Liderët e Kosovës e kanë të qartë se mund t’i humbin privilegjet politike, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, nëse iu shkon në mendje që të ndërtojnë politikë konfliktuale me Berishën.
Kaq për ndikimin e Berishës në politikën e Kosovës.
Por, ajo që befasoi këto ditë ishte deklarimi i guximshëm i Berishës në një intervistë për Klan Kosova.
Me një fjalor të qartë dhe pa ekuivokë shprehu bindjen se, ai, si kryeministër, bashkë me Thaçin dhe Sejdiun do ta ndërtojnë një politikë për bashkimin e kombit - do t’i heqin pikat kufitare që dy shtetet të funksionojnë të bashkuar, por secili me administratën e vet.
Nëse shikohet një historik i shkurtër i kësaj ideje, kjo është hera e parë që një kryeministër del qartë dhe pa asnjë hezitim me idenë e bashkimit të kombit. Hiq këtu deklarimet individuale të liderëve në opozitë apo personaliteteve tjera që nuk kanë pasur ndonjë pasojë për deklaratat e tyre.
Gjatë gjithë periudhave të ndryshme kur është përmendur bashkimi i shqiptarëve, organizimi politik ose ka pasur më së shumti formën somaleze të organizimit (feudet politike), ose s’ka pasur dëshirë politike për këtë gjë. Më e keqja është se vendet ballkanike dhe vendet tjera në botë në situatë të ngjashme kanë pasur një autoritet fetar që i ka bashkuar forcat politike në një qëllim të tillë. As sot e kësaj dite nuk kemi organizim politik dhe një autoritet fetar që nis idenë dhe i fut në proces shqiptarët për idenë e bashkimit. Sali Berisha është kryeministri i parë që doli qartësisht me idenë e bashkimit të kombit, edhe pse Jakup Krasniqi është i vetmi lider nga Kosova që asnjëherë nuk hoqi dorë nga deklarimi i tij i vazhdueshëm për bashkimin kombëtar.
Duhet rikujtuar një ide e përfolur shumë në vitet nëntëdhjetë nga përfaqësuesit e LPK, shpeshherë e vizatuar në faculeta me kufij sipas dëshirës dhe momentit, e cila më vonë u shndërrua në idenë për luftë çlirimtare dhe për bashkimin e të gjitha trojeve etnike.
Kjo ide e viteve nëntëdhjetë u zbeh menjëherë pas fillimit të luftës në Kosovë. Askush më nuk e përmendi bashkimin me t’u ballafaquar me realitetin politik, diplomatik dhe ushtarak, si dhe me pafuqinë e shtetit shqiptar për një ide të tillë. Kësisoj, ideja e bashkimit mbeti në ilegalitet.
Disa muaj më herët se ç’iu kujtua Fatos Lubonjës ta hapë idenë për një debat rreth bashkimit të shqiptarëve. “Pse të mbetet tabu temë?”, - thoshte Fatosi. U desh të nisej një debat në Shqipëri për t’i hapur të gjitha dilemat rreth kësaj ideje. Mirëpo, në Tiranë kjo ide mbeti e heshtur. Nuk e zhvilloi askush, edhe pse Fatosi dukej i entuziazmuar me faktin se askush më parë nuk ka bërë asnjë platformë për një gjë të tillë.
Në “Opinion” të Blendi Fevziut, Aurel Plasari i pari preku idenë e bashkimit duke eliminuar frikën nga ndërkombëtarët si faktor që e refuzon këtë ide.
“Nuk ka ide refuzuese, por ka ide të pafuqishme”, - kishte deklaruar Plasari, duke theksuar se idetë që kanë një bazë të shëndoshë arsyetimi gjithmonë janë të suksesshme, nëse nuk përshkruhen me dhunë dhe armiqësi.
Remzi Lani ka qenë skeptik në kushtet e realizimit duke konstatuar atë që dikur e kishte thënë në “New York Times”, se “do të bashkohemi, nëse një forcë e tretë na bënë këtë. P.sh., Këshilli i Sigurimit. Nuk do të ishim kundër kësaj”, - ishte shprehur.
Gazetari dhe ish-diplomati shqiptar, Paulin Kola, kishte marrë një bursë për të hulumtuar këtë temë. Një libër i botuar në Britani kishte shpalosur idenë e Shqipërisë së Madhe si të paqëndrueshme. Pas një hulumtimi të gjatë, ai kishte konstatuar se “idenë e bashkimit nuk e gjeti, as në Tiranë, as në Prishtinë, por do të vazhdojë të jetë në kërkim të saj edhe më tutje”.
Për herë të parë Sali Berisha ka guximin të merret seriozisht me projektin e tregut shqiptar prej shtatë milionësh, si mundësi e vetme e funksionimit dhe ekzistimit normal të ekonomisë deri në aderimin e shqiptarëve në BE. Ai përmendi të gjitha ndalesat që duhet të hiqen - turizmin, pastaj heqjen e doganave dhe punkteve policore. Kontratën për shkëmbim të mallrave ndërmjet vendeve ballkanike, kontratë regjionale, në të cilën hyn edhe Kosova dhe Shqipëria. Lëvizjet e mallrave ndërmjet nesh ende janë më të ulëtat.
Deri më sot, të gjithë kanë qenë peng të një iluzioni ose një shprese, që ky bashkim mund të vijë nga Këshilli i Sigurimit. Prej tash, do të jetë më ndryshe.