E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëzania, ministrat e Eurozonës i vënë kushte të vështira Greqisë

Ministrat thanë se Parlamenti grek duhet të miratojë kushtet e paketës së shkurtimeve dhe reformave të rëna dakord me BE-në dhe FMN-në.

Plus kësaj, Athina duhet të gjejë se në cilën pjesë të buxhetit do të shkurtojë edhe 325 milionë euro të tjera deri të mërkurën, kur ministrat e Financave të Eurozonës do të takohen përsëri.

Kryetari i takimit të djeshëm të ministrave të Financave të Eurozonës, Jean-Claude Juncker, tha se Greqia duhet të plotësojë tre kushte para se ne të ndezim dritën jeshile për dorëzaninë e radhës.

“Deri të dielën Parlamenti grek duhet të miratojë paketën e rënë dakord me troikën. Deri të mërkurën të gjejë se ku do t’i shkurtojë edhe 325 milionë euro të tjera dhe liderët politikë të japin siguri të mëdha politike për implementimin e programit të rënë dakord”.

Sindikatat greke tashmë kanë thirrur një grevë të përgjithshme 48-orëshe, e cila fillon sot, në shenjë proteste ndaj masave të reja të kursimeve.

Greqia nuk mund t’i dalë në krye borxhit të saj të madh dhe ekziston frika se një falimentim i mundshëm mund të vejë në rrezik stabilitetin financiar të Evropës dhe madje mund të çojë në thyerjen e Eurozonës.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2012-02-10 09:26
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›