E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëzimi i pyetësorit, Berisha drejt Brukselit më 15 prill

Procesi Burimet pranë shefit të mazhorancës thonë se është përcaktuar data e dorëzimit dhe ceremonia

Kryeministri Sali Berisha do të niset në mesin e javës së ardhshme drejt Brukselit në një vizitë dyditore, ku do të dorëzojë pyetësorin e plotësuar të Komisionit Europian. Burimet bëjnë të ditur për gazetën se kreu i qeverisë do të niset në datë 14 prill drejt Brukselit, ku pritet që në datë 15 të dorëzojë në Komisionin Europian përgjigjet e 2284 pyetjeve, mbi të cilat pala shqiptare ka punuar. Në ceremoninë e dorëzimit pritet të marrë pjesë edhe komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mira i KE-së, Stefan Fyle, me të cilën kreu i qeverisë, siç thuhet nga burimet, mund të zhvillojë edhe një takim. Pyetësori tashmë ka marrë formën e tij përfundimtare pas formatimit të bërë dhe janë rreth 4000 faqe që priten të dorëzohen javën e ardhshme. Në fundin e muajit mars, Komiteti Ndërministror i Integrimit, i përbërë nga ministrat dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore, mbajtën edhe mbledhjen e fundit për këtë proces. Në takim është kompletuar miratimi i 35 kapitujve të këtij pyetësori dhe më pas ka vijuar procesi i formatizimit të të gjithë materialit. Në këtë mbledhje, kreu i qeverisë “Berisha” e ka cilësuar si të suksesshme punën katërmujore të administratës shqiptare në kthimin e përgjigjeve të këtyre pyetjeve, duke e cilësuar procesin si më seriozin dhe kompleksin në tërë historikun e Shqipërisë në BE. Sipas Berishës, për t’u kthyer përgjigje 2284 pyetjeve dhe rreth 2000 nënpyetjeve të pyetësorit të KE-së, janë angazhuar gjithsej 1200 punonjës të administratës, zyrtarë të të gjitha niveleve, nga specialist i thjeshtë deri te titullari i institucionit apo agjencisë. Kreu i qeverisë ka theksuar se procesi i nisur në mesin e muajit dhjetor angazhoi edhe mbi 27 ekspertë të vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare, duke mos munguar konsultat me agjenci dhe institucione ndërkombëtare. Në nisje të këtij procesi Berisha ka kërkuar edhe vërtetësi nga ana e palës shqiptare në procesin e kthimit të përgjigjeve. Sipas tij, ishte e rëndësishme që Shqipëria të tregohej e vërtetë në lidhje me raportimin e situatës së saj ekonomike, politike dhe sociale. Një theks të veçantë kreu i qeverisë i ka vendosur mënyrës së kthimit të përgjigjeve, duke kërkuar që administrata të jetë koncize dhe të heqë ujërat e tepërta nga shpjegimi i situatave të caktuara. Përkthimi i përgjigjeve të dhëna nga pala shqiptarë është konsideruar nga Berisha si tepër i rëndësishëm. Sipas tij, ishte e nevojshme që anglishtja e Shqipërisë të ishte e njëjtë me atë të Brukselit. Në këto kushte, kreu i qeverisë ka paralajmëruar që nga ana e KE-së mund të ketë nevojë në një kohë të dytë edhe për më shumë sqarime lidhur me çështje të ndryshme, të ardhura si rezultat i gjuhës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›