Kapet shpërndarësi i heroinës tek ish-Blloku
Kapet anëtari i një bande droge që kërkohej në Tiranë. Andi Ibrahimllari ka përfunduar në prangat e policisë pas një operacioni të befasishëm të antidrogës së kryeqytetit. Ai është kapur në banesën e tij në rrugën “Sami Frashëri”, teksa mbahej në vëzhgim nga agjentët e policisë. Sipas të dhënave, arrestimi ka ardhur, pasi gjykata ka vendosur arrest me burg për të, nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Gjatë arrestimit, atij nuk i është kapur asnjë sasi droge, por sipas të dhënave, ai i përkiste një grupi prej disa personash që janë goditur pak kohë më parë. Personat e tjerë, që u kapën me sasi të vogla heroine dhe hashashi, u proceduan penalisht në gjendje të lirë, ndërkohë që Ibrahimllari dyshohet se ishte personi që ua shiste drogën. Policia shpjegoi se ai mendohet se shiste lëndë narkotike në zonën e ish-Bllokut, sidomos pranë “Pallateve Agimi”. Policia tha se në atë kohë ai i shpëtoi arrestimit, por gjatë hetimeve u mblodhën prova të reja kundër tij, bashkë me dëshmitë e të proceduarve penalisht.
#