Inspektorat për vjeljen e gjobave
Një strukturë e re, e cila do të shërbejë vetëm për “të marrë” të holla, po diskutohet të ngrihet në formën e një inspektorati.
Shpesh herë strukturat shtetërore, si policitë apo organet e tjera kompetente, vendosin gjoba, kapin plangprishësit e ata që nuk respektojnë ligjin, por nga ana tjetër zhdëmtimi monetar për këto shkelje është pothuajse i pamundur për këto raste. Të ndodhur në të tilla kushte, është hedhur ideja e ngritjes së një strukture me inspektorë e specialistë të cilët do të trajnohen dhe do të jenë përgjegjës vetëm për të vjelë paratë dhe për të gjetur mënyrën e akumulimit të gjobave të vendosura nga strukturat paralele. Ky inspektorat, i cili do të jetë e para strukturë e këtij lloji, do të jetë në mënyrë të veçantë efektive për vjeljet e gjobave, si në rastin e ligjit “për mbrojtjen ndaj produkteve të duhanit”.
Vjelja e gjobavePër gati katër vjet, ky ligj, që pas diskutimit, miratimit, hyrjes në fuqi ka pasur debate të shumta, megjithatë pika kyçe kanë qenë vjeljet e gjobave. Edhe pse ligji u miratua nga një pjesë e madhe e deputetëve, përsëri mbetet një nga ligjet më pak të zbatuara në vendin tonë. Për këtë arsye, molla e sherrit mes strukturave drejtuese dhe atyre zbatuese ka qenë bashkëpunimi qeveri ekzekutive dhe vendore, si dhe vjelja e gjobave të vëna nga inspektorët e Shëndetit Publik.
KompetencatPikërisht ky inspektorat i ri që pritet të vendosë rregull për sa i takon grumbullimit të gjobave, në bazë të kompetencave që do t’i akordohen, do të ketë mundësi të gjejë mënyrën e përshtatshme dhe detyruese jo vetëm për të vjelë gjoba, por për të sensibilizuar në një farë mënyre për rritjen e shkallës së kërkesës së llogarisë, si dhe opinionit qytetar. Në rastin e ligjit të duhanit, është thënë se qëllimi nuk është vendosja e gjobës, por vendosja e rregullit për të zbatuar ligjin dhe për të mos konsumuar duhan brenda ambienteve publike, ashtu siç parashikon edhe ligji. Por në këtë rast inspektorati do të jetë gati për të marrë vlerat e zhdëmtimit, duke ndihmuar kështu arkën e shtetit për të përmirësuar funksionin e saj në shërbim të popullatës.
Ende nuk dihet se në varësi të cilit institucion do të ngrihet kjo strukturë, por diçka është e sigurt, që do të ketë autonomi të plotë, për të ushtruar më tej funksionet dhe mbarëvajtjen e punës. Po ashtu, shpërndarja e fondeve të mbledhura, si dhe menaxhimi i tyre do të jetë një nga pjesët më të rëndësishme të projektit para ngritjes së inspektoratit dhe realizimit të këtij projekti ambicioz.
FunksionimiNë diskutime rreth rolit dhe funksionimit të këtij sektori janë ftuar në bisedime aktorë të rëndësishëm në fushën e higjienës, shëndetit publik, autoriteteve vendore, inspektorateve në bashkëpunim, si dhe specialistë të fushës së inspektimit dhe kontrollit në të gjithë rangjet shtetërore.
#