E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohen Besiana e Sharri

Kriza financiare e ka përfshirë një pjesë të madhe të klubeve të Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Si rezultat i kësaj, dy skuadra, Besiana e Sharri, 99 për qind nuk do ta nisin fare sezonin pranveror. Nga Moral Pozhegu më 09 mars 2011 në ora 14:21

Derisa skuadrat nga Superliga po e përballojnë disi krizën financiare, ato të Ligës së Parë të Kosovës në futboll kanë filluar të dorëzohen. Këtë fundjavë pritet të nis sezoni pranveror i kësaj lige, por jo të gjitha klubet duket se janë të vendosura ta çojnë deri në fund kampionatin.

Dy klubet, Besiana dhe Sharri, sipas gjitha gjasave nuk do ta nisin fare sezonin vjeshtor, pasi duket se kanë vendosur që të tërhiqen nga garat. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) nuk ka arritur ende të kontaktojë me udhëheqësit e këtyre dy klubeve, të cilët janë ‘zhdukur’.

Ata kanë afat deri të mërkurën, që të paraqiten, për t’i dorëzuar librezat e futbollistëve dhe për t’u licencuar. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Liga e Parë do t’i vazhdojë garat me 14 ekipe (në vjeshtë numëronte 16).

“Është e vërtetë se klubet e Ligës së Parë po hasin në vështirësi, por nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për tërheqje nga garat. Ne nuk kemi arritur ende të bisedojmë me udhëheqësit e Sharrit dhe të Besianës, pasi që ata nuk lajmërohen në telefon”, ka thënë për Express zyrtari i FFK-së, Bajram Neziri.

Besiana as që i ka filluar përgatitjet për sezonin pranveror. Ekipi llapjan ka mbetur pa ‘baba’, sepse pronari i klubit, Ertan Xhihiqi gjendet në Turqi dhe nuk është paraqitur fare, që nga përfundimi i sezonit vjeshtor.

Dhe, sipas të gjitha gjasave, kampioni i dikurshëm i Kosovës, Besiana nuk do të jetë pjesë e ekipeve të Ligës së Parë në pranverë. “Ende nuk ka ardhur kryetari i klubit. Derisa të vijë ai, nuk mund të themi diçka më konkrete. Por, personalisht mendoj se 99 për qind ka mundësi që Besiana mos t’i vazhdojë garat”, deklaroi zyrtari i Besianës, Xheladin Behluli.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Sharrit, Emrush Suma, konfirmon se kjo skuadër do të tërhiqet nga garat, pasi që, sipas tij, është lënë anash nga të gjithë.

“Nuk do t’i vazhdojmë garat. Komuna nuk na ka përkrahur materialisht këtë sezon asnjëherë. Gjithashtu, më nuk kemi përfitime as nga fabrika, Sharrcem, pasi iu shit grekëve. Klubi nuk është privat, kështu që nuk kemi mundësi të vazhdojmë. Bile, Sharri u ka borxh futbollistëve edhe nga sezoni vjeshtor, kështu që vendosëm të tërhiqemi”, u shpreh Suma.

Viteve të fundit, numri i klubeve kosovare të futbollit ka filluar të reduktohet. Besiana e ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e shtatë me 22 pikë, kurse Sharri i 14-ti, me 14 pikë.

Kriza financiare ka bërë që shumë klube nga kategoritë më të ulëta të shuhen, ndërsa ky ‘virus’ e ka kapluar edhe Ligën e Parë. Deri tash duket se janë dorëzuar Besiana e Sharri, por vetëm në mesjavë do të dihet zyrtarisht se sa ekipe do të marrin pjesë në Ligën e Parë të Kosovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›