Dorëzohet Annan, jep dorëheqjen si i dërguari i OKB- së në Siri
Siri- Dhuna e tejskajshme që ka pushtuar Sirinë dhe moszbatimi i planit të tij gjashtë pikësh, ka bërë që i dërguari i OKB- së në Siri, Kofi Annan, të japë dorëheqjen nga ky post.
Muaj më parë Annan hartoi një plan i cili synonte të rikthente paqen në Siri, por qeveria e Asad edhe pse e pranoi atë plan, nuk e zbatoi asnjëherë.
Pak ditë më parë u zhvilluan një sërë bombardimesh në Alepo duke shkaktuar me qindra viktima dhe duke shkatërruar qytetin. Paraditen e sotme Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB, tha se luftimet në Aleppo janë rritur ndjeshëm ditët e fundit. Sausan Ghosheh nga misioni i OKB-së tha për BBC se forcat opozitare kishin tashmë në posedim armë të rënda, duke përfshirë edhe tanke.
Ajo i bëri thirrje të dyjave palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të bëjnë dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve në konflikt.
Në 72 orët e fundit pamë një rritje të konsiderueshme në nivelin e dhunës. Vëzhguesit tanë kanë raportuar shkëmbime të rënda zjarri,-tha Zonja Ghosheh. Sakaq Human Right Ëatch tha se incidenti në Aleppo mund të jetë potencialisht një krim lufte.
Ndërkohë raportet sugjerojnë se trupat e ushtrisë kanë vrarë 35 njerëz afër Damaskut, shumica prej tyre civilë të paramatosur. Ata vdiqën pasi forcat qeveritare bombarduan dhe morën lagjen Jdeidet Artouz, në jugperëndim të kryeqytetit të mërkurën.
Më shumë se 200 mijë njerëz kanë ikur nga Aleppo gjatë javeve te fundit dhe OKB thotë se forcat qeveritare po luftojnë për të larguar rebelët nga qyteti më i madh ekonomik i vendit, Aleppo.
Rebelët duket se kanë nën kontroll pjesët më të mëdha të qytetit, pavarësisht pohimeve të qeverisë siriane se ata kanë vuajtur humbje të mëdha.
Observatori për të Drejtat e Njeriut ka raportuar 135 vdekje gjatë së mërkurës ndërsa komiteti lokal dha një shifër prej 170 personash.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve Reuters raporton se presidenti amerikan Barack Obama ka miratuar urdhërin më herët këtë vit që autorizon mbështetjen amerikane për forcat opozitare në Siri.
Shtëpia e Bardhë, nuk pranoi të komentonte mbi raportin, por ajo ka shprehur hapur mbështetjen për opozitën siriane por ka mohuar se i ndihmon me armë. Aktivistët vlerësojën se së paku 20 mijë njerëz kanë humbur jetën në Siri që nga Marsi i vitit të kaluar kur nisi kryengritja kundër Bashar Al-Assad.
/IDEA/