Hapet Ambasada izraelite, Panariti: Bashkëpunim mes dy vendeve
Tiranë- Shteti i Izraelit tashmë do të ketë ambasadën e tij edhe në Shqipëri.
Për inagurimin e saj ka mbërritur në Tiranë edhe ministri i Jashtëm izraelit Avigdor Liberman, i cili më pas ka dalë në një konferencë për shtyp sëbashku me homologun shqiptar, Edmond Panariti.
Gjatë fjalës së tij Liberman deklaroi se hapja e kësaj ambasade është një mundësi shumë e mirë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndërsa ka thënë se bashkëpunimi Shqipëri- Izrael nuk duhet të jetë vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik.
Mendoj se të gjitha bisedimet dhe përpjekjet tona kanë dhënë frytet e tyre. Vlerësojmë qëndrimin e qeverisë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, i gjithë populli izraelit e di këtë dhe është mjaft mirnjohës. Marrëdhëniet tona datojnë prej shumë kohësh. Por hapja e ambasadës do tu japë një shtysë, ato janë të vjetra dhe të qëndrueshme. Mendoj se shtysat nuk duhet të jenë vetëm në kuadrin politik, por të ketë një shtysë të re për forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Jam i bindur se marrëdhëniet tona ekonomike do të zhvillojnë ato politike. Mendoj se me krizën ekonomike është koha e duhur që kompani të ndryshme izraelite të investojnë në Shqipëri, do doja që ky bashkëpunim të shtrihej edhe mes Dhomave tona të Tregtisë,- tha Liberman.
Ndërsa ministri shqiptar i Jashtëm, Edmond Panariti u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të hershme, kjo sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria hapi dyert për Hebrenjtë.
Diskutuam marrëdhëniet Shqipëri- Izrael. Këto marrëdhënie gjejnë pikën e tyre kulmore duke hapur ambasadën izraelite. Marëdhëniet tona kanë qenë në shekuj, por ne u dhamë mbështetje gjatë periudhave të errta. Familjet shqiptarëe hapën shtëpitë e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore për hebrenjtë. Ne sot përfaqësuesit e këtyre popujve jemi këtu për të treguar mërrëdhëniet e shkëlqyëera në të gjitha fushat,- tha Panariti.
Më tej ai u shpreh se në takimin mes tyre është biseduar edhe për marrëdhëniet rajonale duke thënë se Izraeli ka dhënë mbështetje për Kosovën, kjo pasi sot ky shtet i njeh pasaportat e Kosovës.
/K.T/ IDEA/