E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëzohet Heking: Lala i domosdoshëm

Arrihet paqja mes trajnerit të Hanoverit dhe mesfushorit Altin Lala.

Ditmar Heking në fillim të sezonit kishte planifikuar ta nxirrte jashtë loje mesfushorin shtatshkurtër, madje shumë herë e uli në stol, por pas paraqitjeve të shkëlqyera të shqiptarit në fazën e dytë të sezonit, tekniku i Hanoverit ka pranuar publikisht se Lala është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe se Hanoverit i duhen lojtarë si ai. “Ne kemi shumë nevojë për lojtarë si Lala. Ashtu si luan Altini, fiton respekt. Ne nuk jemi në rrezik, nëse atë e lëmë të luajë i vetëm në zonën mbrojtëse të mesfushës. Nëse ne duam të shkojmë më tej, ne kemi nevojë në të ardhmen për më shumë tipa si ai”, ka thënë Heking për të përditshmen “Bild”. Marrëdhëniet mes tyre janë përmirësuar vetëm muajt e fundit, pasi në të kaluarën asnjëherë nuk ka pasur simpati mes tyre. Trajnerit nuk i pëlqente autoriteti i Lalës në skuadër dhe bëri të pamundurën që t’ia hiqte shiritin e kapitenit lojtarit. Vetë Lala pohoi se tekniku fillimisht nuk e kishte projektuar fillimisht si lojtar të formacionit bazë, por më pas gjërat ndryshuan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›