E Diel, 1 Nëntor 2026

Etnografia shqiptare në Kuvend

Etnografia është bërë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

Një ekspozitë me titull “Drejt Evropës me trashëgiminë tonë kulturore”, në të cilën bënin pjesë kostume popullore nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, është çelur dje në ambientet e këtij institucioni. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e vlerësoi  etnografinë si “një vlerë të jashtëzakonshme e unikale, që e trashëgojmë nga civilizimi ynë dhe që i sjellim Evropës duke shkurtuar rrugën drejt anëtarësimit në BE”. “Gjithmonë kam menduar se kultura është zemra e komunikimit dhe dialogut midis popujve e kombeve dhe kurrë nuk kam besuar se ka një kufi tek identiteti kulturor. Trashëgimia kulturore e traditës dhe e civilizimit shqiptar, nuk është vetëm një çështje shqiptare, por dhe një çështje evropiane”, tha kryetarja e Parlamentit. Ajo në fjalën e saj përkujtoi dhe figurën e shquar të krijuesit të etnografisë shqiptare, prof. Rrok Zojci. Gjatë ekspozitës u prezantuan nj  numër veshjesh karakteristike nga Zadrima, Lunxhëria, Labëria, si dhe stoli e zbukurime të punuara nga mjeshtër të trevave të ndryshme të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›