E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasi: Endrra ime të drejtoj Shqipërinë

Ëndrra në sirtar e Besnik Hasit është që një ditë të drejtojë Kombëtaren shqiptare.

Jetmir Halilaj

Ish-mesfushori kuqezi pak ditë më parë arriti një akord me belgët e Anderlehtit për të kryer detyrën e zv/trajnerit të kësaj skuadre sezonin e ardhshëm. Hasi e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm të karrierës së tij dhe shpreson që ky të jetë një fillim i mirë për profesionin e tij të ardhshëm, atë të trajnerit. Në një intervistë për “Panorama” gjakovari që aktualisht luan me skuadrën e Cercle Bryzh tha se dëshiron që në të ardhmen e tij të mund të drejtojë edhe Kombëtaren shqiptare.
Keni arritur një akord me drejtuesit e Anderlehtit për t’u bërë zv/trajneri i ardhshëm i kësaj skuadre. Ç’ndjesi ju jep fakti që do të jeni pjesë e stafit drejtues të klubit me më shumë trofe në Belgjikë?
Është një kënaqësi e jashtëzakonshme, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Unë jam fillestar në këtë profesion dhe jam paksa në ankth, por nuk jam i frikësuar, përkundrazi, e kisha menduar shumë herë veten trajner. Unë jam mësuar të marr përgjegjësi mbi shpatulla dhe mendoj se pas karrierës si futbollist kjo të jetë një stimul më shumë.
Disa vite më parë, ku ju nënshkruat si futbollist me Anderlehttin, a e imagjinuat se një ditë do të bëheshit trajner i kësaj skuadre?
Asnjëherë. Isha i ri dhe nuk mendoja fare se çfarë do të bëja pasi të përfundoja karrierën si futbollist, por me kalimin e viteve njeriu piqet dhe fillon të mendojë. Më pas kur unë u largova nga Anderlehti, ishin drejtuesit e skuadrës ata që më thanë se do të kishin dëshirë që unë pasi të lija futbollin e luajtur të mund të punoja në këtë klub. M’u bë qejfi sepse ishte një vlerësim shumë i madh, por edhe atëherë as që e mendova se kjo ditë do të vinte kaq shpejt. Jam i lumtur që do të punoj aty sepse është një ambient fantastik.
Thatë që mendonit prej disa kohësh që të bëheshit trajner, a do të donit që të drejtonit një ditë Kombëtaren shqiptare?
Pyetje është kjo? Sigurisht që po, madje do të doja shumë. Kjo është një nga ëndrrat e mia dhe shpresoj që një ditë të realizohet. Megjithatë dua të theksoj diçka: nuk është ky qëllimi im primar. Pra dua që kjo të ndodhë në mënyrë spontane dhe kur të jenë pjekur kushtet. Unë kam për të mësuar shumë gjëra deri sa të vijë ajo ditë dhe nuk dua të nxitohem.
Nëse një ditë do t’ju vinin oferta nga Kosova dhe nga Shqipëria, ju cilën nga Kombëtaret do të preferonit të drejtonit?
Shikoni, unë e konsiderova veten me fat që nuk m’u desh të zgjidha mes Shqipërisë dhe Kosovës gjatë kohës që isha futbollist i përfaqësueses shqiptare. Më besoni se është një zgjedhje tmerrësisht e vështirë për t’u bërë. Pyetja juaj është shumë hipotetike, por nëse do të ndodhë që unë një ditë të kem vërtet oferta nga dy federatat, atëherë shpresoj që ato të mos vijnë në të njëjtën periudhë dhe kështu do të kisha mundësi të evitoja një zgjedhje të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›