E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trojanët”, për herë të parë antikitet në teatrin shqiptar

Për herë të parë në skenën shqiptare do të shohim një vepër nga antikiteti.

ANILA MEMA

 Dhe është pikërisht “Trojanët” e Euripidit, kryevepra më e famshme e antikitetit grek, për të cilën po punohet prej mëse një jave. Regjisori i njohur Vangjelis Theudoropulos, ka bërë tashmë përzgjedhjen e aktorëve shqiptarë dhe prej një jave ka nisur punën në tavolinë. “Trojanët”, kjo vepër që trajton legjendën e luftës së Trojës, është përkthyer për herë të parë në shqip nga Romeo Çollaku, premiera e së cilës do të jepet më 17 korrik në amfiteatrin e Butrintit, e më pas do të shfaqet në Teatrin Kombëtar. “Jam shumë i lumtur që ndodhem në Shqipëri, se jemi vende që kufizohemi me njëri-tjetrin, me Laert Vasilin jemi bashkëpunëtorë në Athinë në teatrin ‘Neo Kozmos’, ku jam drejtor dhe në politikën e teatrit dhe një nga etapat është të bëj vepra që u drejtohen emigrantëve, që shkruhen dhe luhen nga vetë ata. Lidhja natyrore të vija në Shqipëri ishte Laerti. Nuk ka kuptim të bëjmë në Athinë një politikë teatri për emigrantët dhe të mos kemi lidhje personale me Shqipërinë. Ishte një nder për mua të ftohem nga drejtori Skrami, për të bërë një tragjedi apo komedi të antikitetit grek. Preferova të fillonim punën për ‘Trojanët’ e Euripidit, sepse mendoj se është një vepër me të cilën popujt e Ballkanit mund të komunikojnë, sepse flet për barbarizmin e luftës dhe për emigrantët që ju dhe ne e kemi jetuar në lëkurën tonë prej vitesh”, shprehet regjisori i njohur Theudoropulos. Drama përfaqëson momentin ekstrem të tragjedisë: burrat të gjithë të vdekur, gratë e Trojës dorëzojnë trupat, duke pritur fatin e tyre në betejën e fituesve. Ndërkohë për regjisorin ideja për ta bërë këtë vepër ka qenë që para dhjetë vitesh. Në gjithë dramën prezenca e gjallë dhe akute e dhimbjes, sjell bindjen e heroizmit dhe bukurisë. Euripidi te ‘Trojanët’ e përqendron vëmendjen e tij te fitimtarët, e në mënyrë të veçantë te gratë, me qëllimin për të hedhur dritë mbi vuajtjet dhe dhembjet e ardhura nga konfliktet e armatosura. Për ‘Trojanët’ me skenografinë po punon Amngelos Mehnitis, autor i skenografisë së Lojërave Olimpike të realizuara në Athinë.

Aktorët

Margarita Xhepa
Luiza Xhuvani
Rajmonda Bulku
Ema Andrea
Neritan Liçaj
Guliem Radoja
Arben Derhemi
Olta Daku
Eftiola Laçka
Enejda Xhelili
Loredana Gjeçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›