E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lypnin në Prishtinë, riatdheson 32 persona

 

Lypësit, të komunitetit rom riatdhesohen nga SHPK-ja përmes Morinit. Skema e largimit dhe “puna” në Kosovë

Kukës-Shërbimi Policor i Kosovës, ka riatdhesuar dje paradite në pikë-kalimin kufitar të Morinit, 34 shtetas, midis tyre 13 fëmijë, pjesëtarë të komunitetit rom, të cilët janë kapur nga policia duke lypur rrugëve të Prishtinës. Zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Kufirit në Kukës kanë bërë të ditur se riatdhesimi i këtyre personave është bërë pas një vendimi të Gjykatës Komunale për Kundërvajtje të Prishtinës. “Personat janë kapur në Prishtinë duke lypur dhe pa dokumentacionin përkatës”,- thonë burimet zyrtare të policisë.

***

Personat e riatdhesuar, sipas policisë janë lënë të lirë, pasi për një gjë të tillë kishte vendosur gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë. Aksioni për heqjen ë lypësve nga rrugët e Prishtinës u zhvillua dy ditë më pare, ndërkohë që paraprakisht ishte bërë përgjimi i personave dhe rrugët ku ata gjendeshin më së shumti. Krahas Shërbimit Policor të Kosovës, në aksionin për heqjen e lypësve nga rrugët e Prishtinës kanë qenë të pranishëm edhe punonjës të Qendrës për Punë Sociale të Prishtinës dhe Kryqi i Kuq i Kosovës. “Janë hequr nga rrugët e Prishtinës 38 persona që lypnin, midis tyre 13 fëmijë, ku pas verifikimeve ka rezultuar se 34 prej tyre, përfshi edhe fëmijët, ishin shtetas të Shqipërisë”,- thotë zëdhënësi i Policisë së Prishtinës Agron Borovci. Transportimi i lypësve është bërë për në stacionin qendror të policisë me automjetet e Kryqit të Kuq. Më pas ata i janë nënshtruar intervistave të realizuara në praninë e punonjëses sociale dhe nën monitorimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut të Prishtinës. Pas intervistimit dhe verifikimeve të kryera nga ana e policisë së Kosovës, ka rezultuar se dy persona, të shoqëruar nga Shqipëria posedonin leje të rregullta qëndrimi.

***

Personat e kapur kishin hyrë në Kosovë kryesisht në mënyrë ilegale. Sipas burimeve policore, për 23 persona të tjerë të moshës së rritur kanë filluar procedurat ligjore nga Gjykata Komunale e Prishtinës. Pas përfundimit të procedurave, gjykata ka vendosur që personat që janë kapur duke lypur të dëbohen nga Kosova për në vendbanimet e tyre në Shqipëri. Zyrtarë të luftës kundër trafiqeve në Drejtorinë e policisë së qarkut të Kukësit theksojnë se familjet rome udhëtojnë nga vendbanimet e tyre që janë kryesisht Fushë-Kruja, Elbasani, Tirana, Berati, Shkodra, Fieri etj dhe vendosen përkohësisht në qytetin e Kukësit, duke banuar në ish- zonën industriale, në ndërtesa të braktisura, apo në çadra. Pas një qëndrimi 3-4 ditor në Kukës, lypësit kalojnë kufirin për në Kosovë, disa me pasaporta të rregullta dhe disa të tjerë në mënyrë ilegale përmes kufirit të gjelbër. Pasi kalojnë në Kosovë lypësit romë, kryesisht fëmijë dhe gra, vendosen në qytetet e mëdha të Kosovës dhe nëPrishtinë duke lypur, ndërkohë që burrat e këtyre grave dhe baballarët e fëmijëve lypës i mbajnë ata në mbikëqyrje. Sipas të dhënave të mbledhura, mësohet se burrat romë, kryesisht e kalojnë ditën duke pirë nëpër klube me paratë që kanë grumbulluar gratë dhe fëmijët e tyre. Ndërkohë që gratë dhe fëmijët që nuk grumbullojnë para gjatë ditës duke lypur i nënshtrohen dhunës së burrave në mbrëmje.

***

Në mesin e burrave romë ka edhe tutorë që shfrytëzojnë grupe lypësish romë. Zyrtarët e Luftës kundër trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit e kanë paraqitur këtë fenomen si mjaft problematik dhe të vështirë për t’u luftuar. Kosova para luftës nuk ka qenë e prekur nga fenomeni i lypësve romë nëpër rrugë. Pas mbarimit të luftës në Kosovë vërshuan romët e Shqipërisë, kryesisht duke lypur, por edhe duke mashtruar, kryesisht gratë dhe vajzatpërmes falleve. Ndërkohë që policia në Kosovë ka hedhur dyshimet e saj se fëmijëve të vegjël që shoqërojnë lypësit e rritur dyshohet t’u jepet nga prindërit e tyre tableta Apaurin për t’i vënë ato në gjumë apo në koma, për t’u dukur para njerëzve se ata janë të sëmurë, me qëllim sensibilizimin e kalimtarëve për të falur diçka. E njëjta metodë dyshohet se përdoret edherrugëve të Tiranës nga prindërit lypës me fëmijët e tyre që i mbajnë pranë. Tabletat Aparium janë shumë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve. Lypja, sipas policisë, bëhet me forma të ndryshme, të njëjta me ato të përdorura në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›