Arrestohet 16-vjeçarja, shfrytëzoi dy të mitura për prostitucion
Lezhë-Policia e Lezhës ka vënë në pranga mëngjesin e djeshëm një 16-vjeçare, nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Sipas burimeve zyrtare nga kjo polici, mësohet se shtetasja Zh.V, dyshohet të ketë përfituar para nga 2 të mitura, të cilat ushtronin prostitucion në hotele të ndryshme të Qarkut të Lezhës dhe konkretisht në zonën e Shëngjinit. “Dy të miturat me inicialet K. T dhe XH. S, ishin larguar nga shtëpia e tyre dhe rrinin në Lezhë, në hotelet rreth e rreth qytetit dhe në zonat përreth autostradës”,- thonë burimet policore, duke saktësuar se ishte e mitura ZH.V, e cila i mbante dhe i shoqëronte nëpër hotele. Ishte pikërisht e ëma e njërës prej vajzave, e cila u paraqit në polici dhe kërkoi ndihmë për gjetjen e tyre. Dy vajzat akuzojnë 16-vjeçaren se ajo i ka shfrytëzuar, duke i mësuar të prostituojnë në këmbim të parave. Avokati mbrojtës në emër të të akuzuarës nuk i ka pranuar akuzat, ndërkohë që materialet i kanë kaluar për hetime prokurorisë.