E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina në lumë, vdes doganieri i Kapshticës

 

Korçë-Një doganier në doganën e Kapshticës ka mbetur i vdekur gjatë një aksidenti automobilistik në segmentin nacional Korçë-Pogradec. I riu, Gëzim Begolli, udhëtonte në mjetin e një mikut të vet dhe ka qenë në vendin e pasagjerit. Sipas burimeve zyrtare të policisë mjeti ka përfunduar në ujë, ndërkohë që dhe drejtuesi i tij, Armand Bimbli, ka mbetur i plagosur. Aksidenti i rëndë automobilistik është regjistruar pak para mesnatës së të premtes. Mjeti opel me targë Pg 1918 i cili drejtohej nga Armand Bimbli ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në ujë, poshtë urës së njohur të Bulgarecit, mjaft e rrezikshmedhe e njohur për aksidentet tragjike. Mjeti ka mbetur peng i lumit Devoll, ndërsa lartësia e madhe rreth 5 metra ka qenë fatale për njërin prej udhëtarëve që gjendeshin në bordin e opelit. Sipas burimeve të policisë së Korçës, mësohet se dy miqtë kanë qenë duke udhëtuar në drejtim të qytetit të Pogradecit, ndërsa ecja me shpejtësi tej normave të lejuara dyshohet të jetë kthyer në një fatalitet për viktimën, por dhe të plagosurin tjetër. Kështu konfirmohet vdekja e doganierit 28-vjeçar Gëzim Begolli nga Korça, ndërsa gjendet i shtruar në spitalin e Korçës drejtuesi i mjetit, Armand Bimbli, i cili është në gjendje të rëndë, nën kujdesin e mjekëve të spitalit juglindor. Policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit ku humbi jetën doganieri me detyrë në Kapshticë dhe mbeti i plagosur miku i vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›