Sarandë, 43 skafe mbahen "peng" në oborre e parkingje
Hapësira detare e Sarandës, Ksamilit dhe e Lukovës, deri në Gjirin e Borshit, vazhdon të jetë e ndaluar për përdorimin e skafeve private. Kjo është vera e katërt që ujërat detare shqiptare nuk shohin "pulëbardhat" e turizmit, siç i quan ato një prej pronarëve të skafeve të dëshiruar për detin. Dikur plazhistët e dinin se te limani i vogël i varkave në Sarandë niseshin motobarka të përshtatura për udhëtime detare, të cilat i çonin pushuesit në plazhet e pakapshme me makina, si në atë të Krorëzës, Kakomesë, në Shpellën e Lukovës e Gjirin e Borshit, me të cilët udhëtimi ishte piktoresk, njohës i vijës bregdetare dhe jo tronditës e vuajtës, siç ndodhte atëherë po të guxoje të përshkoje rrugët automobilistike në gjendje të degraduar. Nuk kishte gjë më të bukur e çlodhëse në mbrëmjet e pranverës apo të verës në Sarandë, sesa të vozitje me motoskafin e bardhë si shkumë deti, që mbante edhe emrin e bukur "Joni". Në kohëra edhe më antike të çonte një udhëtim nëpër Gjirin e Sarandës apo përmes ishujve të Ksamilit, me barkën turistike "Nikaela". Por të gjithave iu vu kryq me ligjin antiskaf tre vjet më parë. Deti u bë si "det i vdekur" e i pakuptimtë pa këto simbole të lirisë dhe të zhvillimit të krahasueshëm me fqinjët korfiatë, vetëm 17 milje përballë Sarandës. Moratoriumi solli një mortje të vërtetë të lëvizjes, një ngrirje të saj, në emër të ndaljes drastike të trafiqeve lloj-lloj. Tre vitet kaluan shpejt dhe kjo është e katërta, thonë njerëzit e detit, që nuk po ua dëgjojmë motorët skafeve në detin e Sarandës e në gjithë Shqipërinë. Edhe për këtë verë premtimesh elektorale, premtimi për heqjen e ligjit të skafeve, është i vetmi që nuk është bërë, as në emër të votës së kërkuar. E kundërta ka ndodhur: shtetarë që duan të mbeten të tillë edhe në 4 vitet që vijnë, e kanë thënë troç: moratoriumi i mjeteve lundruese do të vazhdojë të veprojë. Kjo do të thotë se liria e lundrimit ende nuk ka ardhur në Shqipëri dhe se asaj i kanë vendosur "filtra" prodhuesit e ligjeve. Organet kompetente kanë informacion që numri i skafeve arrin në 43. Ato janë identifikuar në periudha të ndryshme, kur ndonjë pronar ka dashur të bëjë një xhiro turistike. Por nuk ka dalë dot nga frika se do ia bllokojnë e që vazhdojnë t‘i mbajnë në oborre e parkingje, me shpresën se një ditë do të bëhet më mirë.