Bizneset, përballë policisë: Tashmë, zbatoni ju ligjin
Lamtumirë shëtitje në det edhe për këtë sezon turistik. Mbarimi i afatit ligjor të moratoriumit antiskaf nuk e ka shfuqizuar veprimin e tij në praktikë. Kjo lamtumirë vjen edhe nga Durrësi, pasi do të jetë Kuvendi që do të vendosë afatin e moratoriumit antiskaf, ndërsa pronarët e skafeve dhe gjatë këtij sezoni turistik do t‘u duhet t‘i mbajnë të mbyllura mjetet e tyre lundruese. Edhe pse afati ligjor i këtij moratoriumi ka mbaruar, ai mbetet në fuqi dhe mundësinë për të lëvizur lirshëm në ujërat tona me skafe e kanë vetëm disa shtetas të huaj, të cilët janë pajisur me leje të posaçme nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit. Në këtë drejtori në Durrës shprehen se presin një udhëzim për veprimet e mëtejshme, po nga një deklarim i ministrit të Brendshëm, Nishani, mbi këtë çështje rezulton se fjalën e fundit do ta thotë Kuvendi. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës, drejtues Naim Manuka tha se deri në një urdhër të ri moratoriumi do të vazhdojë të jetë në fuqi me përjashtim të mjeteve motorike lundruese, pronarët e të cilave, kryesisht shtetas të huaj, kanë marrë leje. Shtyrja e moratoriumit në kohë shihet si një mundësi për të mbajtur në nivel thuajse zero trafiqet e paligjshme nga deti në kushtet kur trafikantët kanë mjete që e tejkalojnë shpejtësinë, kapacitetet teknike të atyre që zotëron policia kufitare. Kjo situatë e bën policinë të pazonjën teknikisht për të siguruar vijën bregdetare. Ndërkaq, në Bashkinë e Durrësit, por edhe për shumë operatorë turistikë lënia në fuqi e moratoriumit edhe jashtë afateve ligjore, shihet si një shqetësim që cenon turizmin, pasi vazhdon të mbajë peng daljen në det të mjeteve motorike dhe një mundësi tepër të pëlqyer argëtimi nga pushuesit. "Ne zotërojmë mjete lundruese shëtitëse me motor dhe do ishte e udhës që të lejohemi t‘i përdorim pasi moratoriumi ka skaduar dhe ne duhet t‘i shfrytëzojmë për pushuesit tanë. Është e paligjshme që ne t‘i mbajmë mbyllur edhe tani, kur askush nuk e zbaton ligjin. As shteti vetë. As policia", thotë pronari i një plazhi privat në Durrës. Pakënaqësitë mes tyre janë shtuar shumë, ndërsa drejtuesi i policisë, Naim Manuka, shprehet se pa një urdhër nga ministria asgjë nuk mund të bëhet.