Përmbytjet, Balla: Prokuroria të hetojë

Partia Socialiste deklaroi sërish sot se përmbytjet në zonat e nën Shkodrës, nuk janë natyrore por ato kanë autorë, që sipas kësaj partie, janë kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.
Deputeti Taulant Balla kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme që të nisin hetimet përse nuk u shkarkuar në kohë basenet ujëmbledhëse mbi lumin Drin dhe përse nuk u prodhua energji elektrike, para se këto hidrocentrale të tejmbusheshin. Madje, Balla e ka vlerësuar si vepër penale këtë ngjarje.
"Deklarojmë me përgjegjësi të plotë, se nga të gjitha informacionet që ne kemi mbledhur dhe po administrojmë nga verifikimet në terren si dhe konsultimet me ekspertët hidroteknikë na rezulton se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjesh në këtë zone", theksoi ai.