KQZ nuk aprovoi rezultatet përfundimtare të Gjilanit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka aprovuar raportin e Qendrës së Numërimit për rezultatet përfundimtare të Komunës së Gjilanit.
Abstenimi i kryetares së KQZ-së, Nesrim Lushta, në këtë votim ka qenë vendimtar në mosmiratimin e rezultateve për Gjilanin, ndërkaq anëtarët e LDK-së, AAK-së dhe LDD-së, kanë votuar kundër kurse të tjerët pro.
Pra, shtatë vota kemi pro për miratimin e rezultateve përfundimtare të balotazhit të Gjilanit, tre kundër dhe një abstenim.
Për kalimin e këtij vendimi kanë qenë të nevojshme tetë vota.
Mbledhje e KQZ’së është shtyrë për një kohë të pacaktuar për të marrë një vendim të ri për fatin e zgjedhjeve të Gjilanit.
Nga raporti final i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve del që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa, ka fituar 51.48 për qind të votave, ndërsa kundër-kandidati i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike, Fatmir Rexhepi, 48.52 për qind të votave.