Humbja e pakicës
Sistemi zgjedhor shqiptar që do të hyjë në fuqi në zgjedhjet parlamentare të qershorit, do t’u mbyllë derën gjithë partive të vogla.
Sistemi është projektuar që t’i nxisë partitë e vogla të bashkëpunojnë me partitë e mëdha, socialistët dhe demokratët. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), e cila përkrahet nga minoriteti grek, është në dilemë. Sipas planeve, nëse ajo del e vetme në zgjedhje, mund të fitojë një deputet, nëse hyn në koalicion mund të fitojë të paktën 3 nga 140.
Bashkëpunimi mes kryeministrit, Sali Berisha dhe partisë së çamëve, e cila ka pretendime territoriale në Greqi, e shtyu PBDNJ të shtrëngonte duart me Partinë Socialiste. Në të shkuarën PBDNJ ka marrë pjesë në koalicione të udhëhequra nga socialistët dhe demokratët, pa e cenuar pavarësinë e saj.
Megjithatë, zëvendësministri i Jashtëm grek, Teodor Kasimis, i kërkoi shefit të PBDNJ, Vangjel Dule, të mos bashkëpunonte me socialistët. Kërkesa e tij u bë vetëm pak ditë pasi kryeministri grek i kërkoi Dules të vendoste i bazuar në kriteret e tij. Si një dem në dyqanin e qelqurinave, Kasimis dhunoi Kodin e Etikës. PBDNJ është parti e parlamentit shqiptar dhe jo organizatë emigrantësh grekë; akoma më keq, ai dëmtoi interesat kombëtare. Nëse PBDNJ ia ka dalë të mbijetojë, kjo ka ndodhur, sepse ajo ka qëndruar larg partizanllëkut grek ose shqiptar. Me veprimet e tij, Kasimis ka krisur unitetin e minoritetit grek.
Përvoja e Kasimis në këtë çështje mund të justifikojë disa gabime, por jo qëndrimin e tij. Disa e shpjeguan veprimin e tij si përpjekje për të mbështetur Berishën. Disa të tjerë ia kaluan fajin mospëlqimit të tij për Dulen, të cilin, sipas burimeve, ai e shikon si pengesë në përpjekjen për të kontrolluar minoritetin. Tek e fundit, grekët e Shqipërisë së Jugut janë faktor kyç në zonën elektorale të Kasimis. Tani është shumë vonë për të ndryshuar diçka. E dinte apo nuk e dinte, Kasimis ka shkatërruar përpjekjet disavjeçare në një çështje shumë delikate.