Intervista e Berishës në '97: Nuk takova nënsekretarin amerikan të Shtetit prej axhendës
Gazeta “TemA” vijon botimin e një intervistë të kryeministrit, Sali Berisha, dhënë për gazetarin e “Zërit të Amerikës”, A. Fetahu, në dhjetor të vitit 1997. Intervista do të përdorej nga gazetari për të shkruar një libër mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1996-1997
Cilat kanë qenë defektet e politikës suaj të parakrizës që e bënë krizën lehtësisht të manipulueshme si krizë politike?
Unë u përkas atyre që për definicion nuk u besojnë dhe që kanë luftuar kundër të pagabueshmëve. Kështu, të trajtoj me një pyetje defektet apo të metat e politikës si në parakrizë, unë do të shprehesha në pararebelim, apo që e bëri krizën financiare të manipulueshme në rebelim komunist, është e vështirë.
Unë mendoj se faktorët kryesorë që e bënë krizën financiare të manipulueshme dhe mundësuan organizimin në Shqipëri të rebelimit komunist, krahas vendosmërisë së ish-komunistëve për t’u rikthyer në pushtet nëpërmjet dhunës dhe ndihmës që ato patën në këtë drejtim, kanë qenë para së gjithash mashtrimi që iu bënë socialistët huadhënësve shqiptarë, se paratë e tyre i kishte grabitur qeveria e Partisë Demokratike dhe se ata, në pushtet, do të rikthenin paratë e humbura në skemat piramidë.
Në manipulimin e zemërimit një ndihmë të pamohueshme kanë pasur edhe pakënaqësitë e krijuara te njerëzit, të cilët, programet e partive të tjera i konsideronin defektoze, madje armiqësore. Unë mendoj se mangësitë e pamohueshme të shoqërisë civile, prania e njerëzve që u bashkuan, jo për ideale, por vetëm për interesave vetjake me forcat demokratike, shkeljet në raste të caktuara të të drejtave të qytetarëve, sistemi gjyqësor jo i konsoliduar, plogështia dhe mos-reformimi i sistemit bankar, deficitet e transparencës dhe të marrëdhënieve publike të qeverisë, përzgjedhjet jo të goditura të zyrtarëve, korrupsioni dhe dobësia e institucioneve në luftën kundër korrupsionit, kanë qenë disa nga defektet e qeverisjes, duke mos mohuar se ka pasur edhe mjaft të tjera.
Ajo që ndodhi në Shqipëri padyshim është dëshmi e trishtueshme e shkallës së emancipimit individual dhe kombëtar, mungesës së njohurive për tregun, por para së gjithash, ajo është pasojë direkte e veprimtarisë së krahut fondamentalist të PPSH.
Shqiptarët janë një komb me tri fe në tërë historinë e tyre. Komunitetet fetare në Shqipëri kanë respektuar njëri-tjetrin, nuk kanë luftuar, nuk kanë persekutuar njëri-tjetrin. Në historinë tonë kombëtare shqiptarët i ka përçarë, i ka nxitur kundër njëri-tjetrit vetëm komunizmi. Ai është dëshmuar për shqiptarët një doktrinë çnjerëzore dhe antikombëtare. Në emër të kësaj ideologjie, regjimi komunist shqiptar me institucionet e veta, persekutoi rreth 400 mijë shqiptarë në sistemin e gulagëve, që në Shqipëri ishin më të egra, më të shumta, në raport me popullatën, se në çdo vend tjetër. Ky realitet tejet i trishtuar, mjerisht, është një faktor shqiptar. Nuk jam nisur dhe nuk do të nisem ndonjëherë nga përjashtimi i të tjerëve nga shoqëria shqiptare, por ndofta vetëm kjo nuk mjafton që Shqipëria të kapërcejë trashëgiminë e saj. Rrugë dhe forma të reja duhen gjetur që të tjerët të mos e ndjejnë veten të përjashtuar nga vendi i tyre. Por, me gjithë defektet e pamohueshme të politikës apo qeverisjes së Partisë Demokratike, më 20 tetor shqiptarët u thirrën për të shprehur vullnetin e tyre përfaqësuesve të forcës politike që ata donin. Ata, në 87% të të gjitha komunave, bashkive dhe rretheve preferuan këshilltarë, kryetarë të komunave, bashkive dhe rretheve kandidatët e Partisë Demokratike, çka ishte një dëshmi e madhe se sukseset kanë qenë ato që kanë predominuar thellë mbi defektet e politikës së pararebelimit..
Akuzat më të ashpra për ju, si ish-president, kanë të bëjnë me procesin e destabilizuar zgjedhor të 26 majit. Si e shikoni tani këtë proces?
Unë personalisht kam qenë dhe jam kategorik kundër çdo dhunimi, manipulimi të votës së lirë. Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk do të pajtohesha me falsifikimin apo manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Por çështja shtrohet nga kush vijnë këto akuza? Nga katër raporte ndërkombëtare, tri prej tyre i vlerësojnë zgjedhjet korrekte, të lira dhe të ndershme krahasuar me zgjedhjet në vendet ish-komuniste. Vetëm një raport që i cilëson ato jo të lira, rreshton kritika të shumta për procesin zgjedhor. Këto akuza vijnë nga ata, të cilët organizuan procesin e bojkotit të zgjedhjeve dy orë para mbylljes së kutive të votimit, rast unik në historinë e demokracisë. Bojkoti i zgjedhjeve është tipik në historinë e luftërave civile (Greqia) dhe grushteve të shtetit të organizuara nga komunistët për të ardhur në pushtet. Këto akuza vijnë nga ata, të cilët e injoruan tërësisht në raportet e tyre bojkotin e komisioneve në qendrat e votimit nga ish-komunistët, si akt që cenon rëndë integritetin e procesit të numërimit të votave. Kjo, sepse ata vetë ishin faktori i destabilizimit të procesit zgjedhor dhe shumë prej tyre ishin nga ata që donin rikthimin e komunistëve në Shqipëri për shkaqe komplekse. Në të gjitha këto raste kemi të bëjmë me akuza të parafabrikuara dhe, në rast se do të hetonit, do të mësonit shumë për to. Çështja ndryshon, kur këto akuza vijnë nga ata që i besojnë votës së lirë dhe që mendojnë se integriteti i Komisionit të Numërimit të Votave është kusht për një proces elektoral të rregullt. Këta të fundit kanë të drejtë, ndërsa të tjerët i përkasin mafies dhe jo politikës apo më mirë mafies politike që janë të verbëruar nga paratë e derdhura apo interesa të tjera, urrejtje të verbëta nacionaliste në dëm të një kombi tjetër.
Unë kam qëndruar pa u lëkundur ndaj çdo manipulimi apo falsifikimi të provuar apo të dyshuar, sikundër kam qenë i vendosur të mos përligj bojkotin e numërimit të votave, rast i paprecedent në historinë e Evropës, si një mekanizëm për shkatërrimin e demokracisë.
Por, në rast se shqiptarët do të ishin dakord me këto akuza, unë mendoj se ato nuk do të riprodhonin pothuaj të njëjtin rezultat në zgjedhjet e 20 tetorit në prani të 560 vëzhguesve evropianë dhe amerikanë, të cilët i konsideruan zgjedhjet të rregullta. Për zgjedhjet e 26 majit, gjer në momentin e bojkotit, 2 orë para nga ish-komunistët, nuk kishte ndonjë vërejtje substanciale. Në Shqipëri, ato ishin zgjedhjet e para në pluralizëm, gjatë fushatës së të cilave nuk pati të vrarë apo të plagosur. Instituti Republikan Amerikan në sondazhin e tij ditën e zgjedhjeve gjeti se Partia Demokratike kishte fituar 58% të votave kundrejt 22% të PS. Unë nuk mohoj se largimi i rreth 45% të anëtarëve socialistë nga komisionet padyshim ndikoi në integritetin e procesit të numërimit të votave dhe këtu përgjegjësi të padiskutueshme kanë të gjithë ata që i lejuan vetes, në rast se i lejuan, një numërim jo korrekt të votave në komisionet e votimit. Por, sa ka qenë ndikimi në rezultatet e zgjedhjeve i largimit të 45% nga qendrat e votimit të përfaqësuesve të PS, ndërkohë kur në të gjitha këto qendra mbetën mbi 2/3 e anëtarëve dhe vetëm 1/3 e tyre i përfaqësonte PD? Ripërsëritja e zgjedhjeve në 17 zona dhe zgjedhjet e 20 tetorit, që u konsideruan të rregullta nga ata që i vëzhguan, riprodhuan të njëjtin rezultat.
Nuk mohoj se procesi i numërimit të votave ka pasur defektet e veta, por shumë e shumë më të mëdha qenë përpjekjet e një makinerie të tërë për ta instrumentalizuar atë. Ishin këto përpjekje dhe ata që qëndronin prapa tyre që imponuan ODIHR që në raportin përfundimtar prej 35 faqesh të mos gjendet asnjë fjalë apo fjali ku të dënohej largimi nga komisioni i votimit i anëtarëve socialistë të komisionit. Ky raport vinte në kundërshtim me tri raporte të tjera ndërkombëtare, të cilat i vlerësuan zgjedhjet “korrekte”, të lira dhe të ndershme për vendet ish-komuniste. Në një memorandum të ambasadorëve të vendeve perëndimore, firmosur edhe nga i Ngarkuari me Punë i SHBA, të cilët kishin vëzhguar vetë ditën e zgjedhjeve, raporti i ODIHR kritikohej për një seri pasaktësish dhe mungesë faktesh. Memorandumi i ambasadorëve perëndimorë në Tiranë arrinte në konkluzionin përfundimtar se raporti i ODIHR ishte i njëanshëm.
Për instrumentalizimin e këtij procesi ishin të interesuar ata që votonin në Stokholm, pa pasur të drejtën e votës në komision për rezolutën kundër Shqipërisë.
Për instrumentalizimin e tyre ishin të interesuar ata që të nesërmen e zgjedhjeve udhëzuan socialistët të njoftonin me megafona nga selia e tyre, se Shtëpia e Bardhë nuk do t'i njohë zgjedhjet.
Përgjegjësi për këtë proces patën edhe ata që nga Greqia, sipas liderëve të lartë socialistë, urdhëruan si variant të fundit largimin e anëtarëve të komisionit që përfaqësonin PS nga procesi i numërimit të votave. Unë sot nuk do të isha ky që jam, po të mos i thoja gjërat ashtu siç janë thënë lidhur me bojkotin. Organizatorë, sponsorizues të instrumentalizimit të procesit zgjedhor në Shqipëri u bënë eksponentë të lobit grek në SHBA dhe individë të tjerë të kooptuar prej tyre. Gage dhe Stefanopulos, në luftën e tyre të egër dhe primitive ndaj kombit shqiptar, nuk janë të vetëm. Nga disa burime socialiste dhe jo, lakohet emri i R. Shifterit që “rastësisht” ndodhej në Greqi, i cili, për interesa të përfaqësuesve të caktuar të lobit grek dhe jo të SHBA, ka ndihmuar haptas ardhjen në pushtet të ish-komunistëve. Ky zyrtar amerikan, pasi dështoi në një ndërmjetësim aprincipial për lirimin e katër minatorëve me veprimtari spiunazhi, bashkëpunëtorëve të shërbimit grek, që kishin marrë pjesë në armatosjen e mijëra qytetarëve shqiptarë me origjinë greke, ishte tejet aktiv në përpjekjet e tij keqdashëse dhe për të prishur marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA. Pas këtij dështimi, zemërimi dhe urrejtja e tij u bënë të papërmbajtura. Ai do të thërriste njëri pas tjetrit zyrtarë shqiptarë, drejtues të institucioneve të ndryshme, duke përfshirë prokurorë, gjykatës dhe u mbante ligjërata të tëra kundër Berishës “autoritar”. Për këto disponohen fakte të shumta dhe të pamohueshme, jo vetëm në Shqipëri, por besoj edhe në SHBA, në rast se do të autorizoheshit të studionit arkivat përkatëse.
A ndjeheni përgjegjës për dhunën e ushtruar mbi politikanët e opozitës më 28 maj dhe a ishit në atë kohë të ndërgjegjshëm për pasojat e atij veprimi?
Nuk ka patur asnjë urdhër për keqtrajtimin e opozitës dhe ripërsëris se keqtrajtimi i opozitarëve në sheshin “Skënderbej” ka qenë një akt i dënueshëm, i ndërmarrë direkt nga ata që komandonin policinë në operacion, pa asnjë urdhër nga zyrtarë më të lartë. Unë jam informuar rreth 1 orë pas kësaj ndodhie. Kam kërkuar sqarim të hollësishëm dhe e kam dënuar ashpër. Për këtë qëllim u shkarkuan 7 zyrtarë të lartë policie dhe u hap një çështje penale. Por, ish-opozitarët nuk ndoqën procesin.
Padyshim që ajo nuk duhej të kishte ndodhur. Por, kjo ngjarje nuk do të thotë se ka ekzistuar një politikë e caktuar shtypëse ndaj opozitës. Nuk mohoj se pas 28 majit veprime sporadike të pakontrolluara nga individë të veçantë mund të ketë pasur, por këto kanë qenë më të shprehura nga ana e komunistëve ndaj demokratëve. Udhëzimi ka qenë mbrojtja e drejtuesve të opozitës dhe për këtë ka pasur një plan të masave konkrete. Mbrojtja e saj, në të gjitha veprimtaritë e saj, ka qenë urdhër i pandryshueshëm. Kështu, që nga viti 1992 gjer në vitin 1997 asnjë aktivist, drejtues lokal apo qendror i opozitës nuk ka humbur jetën as dhe nuk është plagosur.
Ndërsa pas daljes së Fatos Nanos nga burgu dhe gjatë periudhës që socialistët erdhën në pushtet, është zbatuar njëlloj si në vitin 1991 platforma e likuidimit fizik të kundërshtarëve, janë organizuar një seri atentatesh ndaj drejtuesve lokalë dhe kryesore të Partisë Demokratike, janë qëlluar dhe janë vrarë me 6 janar, ditën në drekë, tre aktivistë të shquar të Partisë Demokratike, Matoshi, Kolbuçaj, Dizdari në Tropojë, është vrarë në Kavajë kryetari i komunës së Sineballës i Partisë Demokratike, është qëlluar në parlament deputeti Hajdari, është qëlluar me breshëri automatiku nga makinë policie anëtari i Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike dhe gazetari i “Rilindja Demokratike” së bashku me familjen e tij në gusht. Për të humbur gjurmët e këtij krimi, policia njoftoi se kishte arrestuar një motorist, por, në të vërtetë, gjer sot nuk ka arrestuar asnjeri. Më 14 prill të këtij viti, në orën 01.00 të natës, u vra në shtëpinë e tij, para gruas dhe fëmijëve të tij, aktivisti i Partisë Demokratike, Bujar Suli, dhe ka pësuar djegie djali i tij 3-vjeçar, sepse është gjuajtur me flakëhedhës shtëpia. Krimi i vetëm i Bujar Sulit ishte se ai kishte shkruar në antenën satelit të TV së tij “PD do të fitojë në vitin 1998”. Vetëm këto dy javë janë vrarë dy nga aktivistët më të shquar të Partisë Demokratike: Bashkim Shkurti, drejtues i personelit të Bashkisë në Lushnjë dhe Frederik Shehu, njeriu që në vitin 1991 rrëzoi bustin e E. Hoxhës në Gjirokastër dhe për të gjitha këto vrasje, të gjitha në anën e opozitës dhe asnjë në krahun e koalicionit qeveritar, nuk është filluar asnjë çështje penale, sepse ato janë të organizuara nga policia sekrete. Për të riun Bujar Suli, Ministria e Brendshme njoftoi se ishte person shumë i kërkuar, në një kohë që ai ishte një person shumë i nderuar, roje shkolle sipas policisë së Fierit dhe asnjëherë i kërkuar. Ai kishte mbrojtur në shumë raste vajzat e shkollës së Levanit nga sulmet e trafikantëve. Policia e Fierit deklaron publikisht se ai nuk ishte një person në kërkim dhe se ajo polici nuk kishte kërkuar Forcat Speciale për të arrestuar këtë njeri. Në varrimin e tij mori pjesë e tërë komuna e Levanit, kurse nxënësit ndërprenë mësimin për disa ditë. Këshilli i komunës së Levanit e ka shpallur atë “Qytetar Nderi” pas vdekjes dhe ka propozuar që në nderim të tij, shkolla e mesme të mbajë emrin “Bujar Suli”. Për të gjitha këto ngjarje mbahet një heshtje e turpshme dhe asnjë zyrtar, ushtarak, polic apo civil i implikuar direkt në to, nuk është shkarkuar. Janë rrahur nga policia gazetarë të opozitës dhe jo vetëm që nuk janë ndëshkuar fajtorët, por përkundrazi, policët që i kanë rrahur janë ngritur në përgjegjësi, siç ndodhi në Librazhd me policin që rrahu dy gazetarë. Platforma e likuidimit fizik të kundërshtarëve është platformë që në Shqipëri është zbatuar pas pluralizmit, vetëm gjatë qeverive “Nano 1”, “Nano 2”, “Nano 3”.
Marrëdhëniet tuaja me Shtetet e Bashkuara duket se pësuan një krisje të hapur pas refuzimit që i bëtë zv/sekretarit të Shtetit, Wirth. Përse e keni refuzuar vizitën e tij?
Me një pyetje nuk besoj se mund të ezaurohen marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Por ju jeni fokusuar në një moment jo të këndshëm të këtyre marrëdhënieve.
Nuk kam refuzuar vizitën e zv/sekretarit të Shtetit, zotit Wirth. Unë kam refuzuar vetëm takimin dhe duhet të pranoj se ky ka qenë një qëndrim i gabuar. Refuzimi i takimit me zv/sekretarin Wirth ka qenë çështje strikte e lidhur me protokollin ose më saktë me skedulën e njoftuar nga ambasada amerikane, nuk ka pasur asnjë çështje tjetër. Ata që imagjinojnë shkaqe të tjera, e teprojnë. Theksoj se protokolli për mua ishte i papranueshëm, por unë duhet të kisha komunikuar direkt me zotin Wirth dhe jo vetëm t'u besoja komunikimin kanaleve që ndofta në rrugën e tyre ishin bërë edhe jo aq të zhdërvjellëta. Në rast se do të kisha komunikuar direkt, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, besoj se do të kishte pranuar sugjerimet dhe argumentet e mia për të bërë disa korrigjime në protokoll dhe skedulën e tij, të cilat unë i konsideroja të domosdoshme. Ndofta edhe gaboj, por duket se ka pasur edhe momente konfuzioni, me dashje apo pa dashje në informacionet e përcjella. Nuk do të ndalesha në këtë çështje po të mos kisha lexuar se, sipas një burimi amerikan, paskërkam refuzuar një takim me sekretarin e Shtetit, Worren Kristofer. Në të vërtetë unë nuk kam refuzuar asnjë takim me sekretarin e Shtetit, Kristofer, por, në rast se burimi është serioz, del se dikush mund të kishte bërë refuzimin tim për një takim të pa-njoftuar për mua, fakt të kryer te sekretari i Shtetit ose tek ata që flasin në emër të tij.
Disa fondacione piramidale lulëzuan pas 26 majit. Përse nuk i parandaluat ato, ndërkohë që ishin të ekspozuar si skema piramidale?
Është e vërtetë se pas 26 majit, fondacioni “Populli” dhe “Xhaferi”, të cilët kishin ekzistuar para zgjedhjeve, por edhe ndonjë tjetër, morën përhapje shumë të madhe dhe patën një nxitje të fuqishme politike dhe kjo për disa arsye.
Së pari, në Shqipëri për skemat piramidë është folur vetëm nga mesi i vitit 1996 dhe huadhënia-marrja me interes ka qenë një akt i ligjshëm, sipas Kodit Civil.
Së dyti, mungonin mekanizmat ligjore të kontrollit të fondacioneve. Ato ishin regjistruar si fondacione bamirësie e për rrjedhojë nuk kontrolloheshin;
Së treti, kryetarët e këtyre fondacioneve në fushatën e 26 majit u rreshtuan haptas me kundërshtarët tanë politikë, nën petkun e një partie ekstremiste të majtë “Lidhja Popullore”, e cila në thelb ishte një parti komuniste që kishte edhe shtypin e saj. Ata, në zgjedhjet e përgjithshme kandiduan së bashku me PS, kështu që si opozitarë fituan edhe njëfarë “imuniteti” politik. Këto fondacione financuan qindra-mijëra dollarë, pothuaj tërësisht fushatën elektorale të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj më 26 maj, si dhe mbi 500 mijë dollarë për shtypjen jashtë shtetit të letrave me vlerë që Partia Socialiste iu shiti njerëzve me premtimin se pas fitores së zgjedhjeve do t'u kthente blerësve të tyre paratë. Fondacionet e mëdha nuk ishin një veprimtari e mirëfilltë financiare, por edhe politike, të cilët u ngritën, u financuan dhe u drejtuan nga të tjerë me qëllime të caktuara, në radhë të parë për të rikthyer ish-komunistët në pushtet. Pas zgjedhjeve të 26 majit, veçanërisht gjatë vjeshtës, ata filluan lojën e rritjes galopante, të përjavshme e madje ndonjëherë edhe të përditshme, të përqindjeve të interesave dhe këtu ata angazhuan direkt kryeredaktorin e gazetës “Koha Jonë”, Blushin, sot drejtor aktual i shtypit të kryeministrit shqiptar. Ata, sipas një programi të caktuar, njoftonin në gazetën “Koha Jonë” rritjen marramendëse të interesave gjer në 50%-100% në javë, çka bëri që ato të marrin me shpejtësi shtrirje tejet të gjerë dhe imponuan rritjen e interesave edhe të kompanive rentiere që kishin investime.
Në mungesë të ligjeve për një qëndrim të shpejtë ligjor ndaj tyre, çdo reagim jo i bazuar në ligje, veçse do ndihmonte këta mafiozë, sepse ata do të kundërviheshin nëpërmjet rritjes së përditshme të interesave dhe dihet se njerëzit ndërmjet interesit dhe fjalës, parapëlqejnë apo do të zgjidhnin interesin.
Vijon në numrin e nesërm