QSUT, instalohet aparatura e Kobaltit për të sëmurët me tumor
Emanuela Sako
Spitalit Onkologjik në QSUT i janë shtuar 2 aparatura të reja për diagnostikimin e të sëmurëve me tumor. Njëra nga aparaturat është ajo e kobaltit, e cila është e domosdoshme për diagnostifikimin e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka marrë pjesë në inaugurimin e dy aparaturave, ku theksoi se ajo e kobaltit ka një kosto rreth 550 mijë dollarë, e cila është blerë në bashkëpunim nga qeveria shqiptare (100 mijë dollarë) dhe pjesa tjetër agjencia atomike e kancerit, në kuadër të projektit BAT. Godo u shpreh se aparatura e dytë, është një aparaturë që do të sjellë standard më të lartë në radioterapinë pacientëve onkologjikë, e cila premton eficencë më të lartë dhe një dëm indor më të pakët.
Aparaturat
Përveç aparaturës së kobaltit, aparatura tjetër është ajo e brakiterapisë, që përdoret kryesisht për kancerin gjinekologjik. Aparatura është ndër fjalët e fundit të shkencës dhe premton standard të lartë në trajtimin e grave të prekura nga kanceri. Aparatura e dytë kushton 250 mijë dollarë. “Këtij shërbimi i mungon akseleratori, për të cilin tashmë janë dhënë fondet nga qeveria për blerjen e tij dhe shumë shpejt do të tenderohet. Shpresojmë që brenda vitit ky shërbim do të ketë dhe akseleratorin, që do të kompletojë dhe do të vendosë në standardin e kërkuar europian në shërbimin e radioterapisë brenda atij onkologjik“, - shprehet Godo. Shefi i Spitalit Onkologjik, Agim Sallaku, u shpreh se instalimi i kësaj aparature ka dy anë pozitive, pasi dyfishohet numri i pacientëve, nga 1 mijë pacientë që trajtohen mund të arrijë në 2 mijë pacientë.
Sëmundja
Rreth 4 mijë persona preken çdo vit nga tumoret, çka shënon një shifër të lartë për numër popullsie. Faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillim e kancereve janë konsumimi i
alkoolit, duhanit, ndryshimi i stilit të jetesës, mbipesha, shtimi i ushqyerjes me mish, faktorët ambientale si ndotja e ambientit nga tymi i makinave, përdorimi i kimikateve në bujqësi, industri, ndërtim, ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit ultraviolet etj. Format më të shpeshta të shfaqjes së tumoreve janë, kanceri i mushkërive ( te meshkujt), kanceri i gjirit ( te femrat) dhe kanceri i zorrës së trashë, preken si meshkujt edhe
femrat. Ndërkohë që një vend të veçantë zë dhe sëmundja e diabetit, e cila prek rreth 35 për qind të shqiptarëve, duke vazhduar më pas me tumoret, që prekin një numër të madh personash, ku rreth 2500 veta vdesin çdo vit.
Rreziku nga sëmundjet më vdekjeprurëse
Qytetarët janë të rrezikuar nga një numër i madh sëmundjesh, por vendin e parë e zënë sëmundjet kardiovaskulare. Ndërsa vendin e dytë e zënë të sëmurët që vuajnë nga hipertensioni, diabeti apo tumoret. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Rreth gjysma e vdekjeve të shqiptarëve çdo vit kanë në bazë një shkak të lidhur me sistemin e qarkullimit të gjakut. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës, rreth 8 mijë persona në vit vdesin nga kjo sëmundje. Ritmet e rritjes së numrit të të prekurve nga sëmundjet kardiovaskulare është tepër i lartë. Specialistët bëjnë të ditur se kjo rritje vjen si pasojë e ndryshimeve moshore dhe të mënyrës së jetesës. Ndërsa rreth 700 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni, duke e renditur këtë sëmundje ndër më shqetësueset. Sipas mjekëve specialistë, kjo shifër kap mbi 25-30 për qind të popullsisë. Kohët e fundit hipertensioni ka filluar të shfaqet edhe në moshat mbi 18 vjeç. Mjekët vlerësojnë se sëmundja e hipertensionit është një faktor shumë i rëndësishëm që shkakton sëmundje të zemrës, hemorragjitë cerebrale, dëmtime të veshkave.
Malaria në Shqipëri
Drejtoresha Kuli: ”Rasti i izoluar dhe pa rrezik për popullsinë”
Rasti i malaries në vendin tonë i mbartur nga një pilot anglez nuk përbën rrezik për popullsinë, pasi është rast i izoluar. Specialistët janë shprehur se malaria është marrë nga Namibia dhe se për vendin tonë është rast sporadik i cili është i izoluar. Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli u shpreh se pacienti që është shtruar një ditë më parë me simptomat e malaries nuk paraqet një situate alarmante dhe shqetësuese. Sipas drejtoreshës së QSUT, raste të malaries së importuar nga vende të tjera në vendin tonë ka pasur edhe në vitet e kaluara. “Është një pacient anglez për të cilin dyshohet se mund të ketë malarie meqenëse vjen nga Namibia që është zonë malarike, aq më tepër episode malarieje edhe në anamnezën e jetës së tij. Nuk përbën asnjë rrezik”,- u shpreh Kuli. Ajo thotë se sëmundja e malaries nxitet për t’u përhapur kur ka dhe mushkonjën e saj, një insekt që nuk ekziston më në vendin tonë. “Malaria që realizojë ciklin e saj duhet të ketë edhe mushkonjën anofel dhe një sërë vektorësh që të mbyllin transmetimin. Ne këtë mushkonjë fatmirësisht e kemi shfarosur”- deklaroi Drejtoresha. Aktualisht po priten rezultatet përfundimtare të analizave të kryera nga specialistët e shëndetësisë në Spitalin Infektiv. Pacienti është paraqitur vetë në spital, pasi ka pasur shenja tipike të kësaj sëmundje, si dhimbje kohë, temperaturë dhe diarre etj. Nga zyra sanitare e aeroportit “Nënë Tereza”, nuk është raportuar ky fakt edhe pse ai ka hyrë në vend përmes kësaj pike kufitare. Mjekja Najada Como, e cila e ka nën vëzhgim këtë rast të dyshuar me malarie, deklaron se pacienti po u nënshtrohet ekzaminimeve, dhe bluzat e bardha do të shprehen zyrtarisht sapo ato të përfundojnë. Mjekët konfirmojnë se pacienti e ka kaluar malarien edhe dy herë të tjera dhe infeksioni është në një sëmundje kronike. Pak ditë më parë, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo dhe përfaqësues të OBSH-së, deklaruan se ndryshimet klimaterike që po ndodhin në të gjithë botën, përbëjnë rrezik për përhapjen e sëmundjes së Malaries dhe një sërë sëmundjesh të tjera të reja. Sipas tyre, sëmundja vdekjeprurëse e malaries mund të gjejë terren të favorshëm në vendin tonë. Specialistët shprehen se situata është kritike dhe duhen marrë masa të rrepta në të gjithë botën. Ata theksuan se kanë përpiluar një projekt që do të parandalonte sëmundjet infektive që shfaqen si pasojë e ndryshimeve të klimës, nga temperaturat e larta, ciklonet, tajfunet, tërmetet, apo nga dukuri të pazakonta atmosferike.
Gripi i derrit, shtohet numri i të prekurve
Gripi i derrit tashmë ka zgjeruar hartën e tij, duke shtuar dhe numrin e personave të prekur në të gjithë botën. Deri më tani numërohen 8800 raste me këtë sëmundje, ku janë regjistruar në 40 vende të botës me 70 viktima gjithsej. Ndërkohë që gripi i derrit i është afruar edhe vendit tonë, ku në Greqi u konfirmua rasti i parë i prekur nga virusi H1N1. Ndërsa shumë shkolla në Nju Jork janë mbyllur, virusi i gripit të derrit po përhapet në institucionet e mësimdhënies. Autoritet konfirmojnë se përveç shkollave virusi nuk është përhapur në çerdhe dhe kopshte.
Vdekja e një mësuesi ka alarmuar prindërit dhe nxënësit, të cilët janë larguar nga shkollat. Sipas versionit zyrtar mësuesi ndërroi jetë për shkak të komplikacioneve të tjera dhe jo thjesht prej gripit.
20 Maj 2009