E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në llogaritë e Gërdecit, 310 mijë euro

Përfaqësi të biznesit dhe qytetarë të shumtë kanë derdhur kontributet e tyre në numrat e llogarisë së qeverisë, për rindërtimin e Gërdecit.. Konkretisht në llogaritë e qeverisë të hapura në “Raiffeisen Bank” kontributet në ndihmë të familjeve të prekura nga tragjedia e 15 marsit , kanë shënuar rritje. Burime pranë kësaj banke nënvizojnë se gjendja aktuale e llogarisë ka kapur vlerën e rreth 310 mijë eurove apo rreth 380 milion lekëve të vjetra. Ndihmat janë mbledhur falë kontributeve të derdhura nga biznesi dhe qytetarë të shumtë emrat e të cilëve nuk bëhen publikë. Po ashtu “Raiffeisen Bank” në Shqipëri nderohet me çmimin “Banka më e Mirë” nga Global Finance për të pestin vit në radhë. Ka qenë revista e mirënjohur “Global Finance” ajo që i dha titullin “Banka më e mirë në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore 2007” për RZB së bashku me “Raiffeisen International” për të gjashtin vit në radhë. Nga ana tjetër “Fondi për mbështetjen dhe rindërtimin e Gërdecit”, ka gjetur gadishmërinë për hapjen e numrave të llogarisë edhe në banka të tjera të nivelit të dytë. Pra qytetarë dhe biznese të ndryshme vazhdojnë të derdhin kontributin e tyre edhe në numrat e llogarisë të qeverisë që janë hapur në bankat e tjera të nivelit të dytë. Burime pranë ministrisë së Financave pohojnë se gadishmëria e Bankës Amerikane, Bankës Kombëtare Tregtare, Bankës Italiane të Zhvillimit dhe UBA si dhe Bankës së Shqipërisë për hapjen e numrave të llogarisë, ju kanë dhënë mundësi të gjithë individëve kudo që janë të derdhin kontributin e tyre. Sakaq institucioni i financave pritet që shumë shpejt të bëjë publike shumën e kontributit që është derdhur edhe në këto banka. Mesatarja ditore e kontributeve të derdhura në numrat e llogarisë së qeverisë pranë bankave të nivelit të dytë, llogaritet në vlerën e 60 milion lekëve të vjetra në ditë apo rreth 60 mijë euro. Numrat e llogarisë do të vazhdojnë të jenë të hapura deri në përcaktimin e faturës financiare, ku më pas fondet e grumbulluara do ju shpërndahen familjarëve për ndërtimin e shtëpive. Sipas ministrisë së Financave të gjithë kontributet që do të derdhen në këto llogari do të menaxhohen nga sistemi i thesarit në një llogari të përqendruar në Bankën e Shqipërisë. Përsa i përket përdorimit të kontributeve, ndihmat do të bashkohen me fondet e qeverisë shqiptare dhe përdorimi i tyre do të bazohet në procedura të shkruara, do të jetë transparent, i hapur dhe do të përfshijë edhe përfaqësues të palës së dëmtuar. Ndihmave monetare që po derdhen nga qytetarët dhe bizneset do ti bashkëngjiten fondit prej 6 miliardë lekë të reja që qeveria do të alokojë për ndërtimin e Gërdecit. Gjithashtu pritet që këto ditë ministria e Financave të ketë në dorë faturën financiare të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në Gërdec nga shpërthimi i depos së municioneve. Bashkë me to ministria e financave do të nxjerrë edhe udhëzimet përkatëse për mënyrën e shpërndarjes së lekëve. Duke u nisur nga deklaratat e bëra nga kryeministri Sali Berisha, banorët e Gërdecit do të kompensohen me lekë në dorë, në mënyrë që banesat të ndërtohen nga veta ata. Nga ana e administratës tatimore vazhdon vlerësimi edhe mbi dëmet e biznesit. Në skemën e qeverisë është parashikuar edhe kompensimi i këtyre të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›