Doris Pack: Rouçek u keqcitua për bojkotin
Reagon edhe deputetja Përnaska: Rama po i kap njerëzit për xhakete
Kriza politike në Shqipëri ka përfshirë brenda lojës edhe Parlamentin Europian. Në një mënyrë paradoksale, aktorët kryesorë politikë në vend kanë preferuar të shkojnë drejt tryezës së Presidentit Bamir Topi në mënyrën më të keqe të mundshme. Dy ditë para saj, selitë respektive kanë angazhuar eurodeputetë të ndryshëm në përkrahje të tezave të tyre që rrotullohen te kutitë e votimit. Europarlamentarja Doris Pack, në një deklaratë të dërguar dje nga Kuvendi i Shqipërisë, thekson se gjatë një bisede që ajo kishte zhvilluar me zëvendëspresidentin e PE-së, Libor Rouçek, ai ishte shprehur se deklarata e tij për bojkotin në vend ishte keqcituar.
Sipas Pack, PE është shprehur qartë në lidhje me bojkotin e opozitës në raport i dalë më 29 nëntor të vitit të kaluar. “Parlamenti Europian i kërkon me forcë opozitës të ndalë bojkotin parlamentar dhe i kujton se ajo duhet të bëjë detyrën e saj, duke përfaqësuar në Parlament qytetarët që i kanë dhënë votën”, citon Pack raportin e PE-së. Po kështu, Pack theksoi se zëvendëspresidenti i PE-së, Rouçek, gjatë takimit që ka pasur me kryetarin e PS-së, Edi Rama, i ka kërkuar atij t’i jap fund bojkotit. Po kështu Pack thekson se Rouçek i ka thënë Ramës se nuk duhet t’i hapë qeveria kutitë e votimit, por gjykata dhe nisur nga kjo, çdo kërkesë për hapje kutish duhet t’i drejtohet gjykatave përkatëse në vend dhe jo qeverisë. Sipas Pack, Rama nuk mund ta kërkojë më hapjen e kutive, duke qenë se vëzhguesit e vetë socialistëve në komisione dhe vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kanë pasur asnjë vërejtje në lidhje me procesin e numërimit të votave.
“Derisa vëzhguesit e PS-së dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në zgjedhjet e qershorit nuk kanë ngritur asnjë pretendim për cilësinë e votimit natën e zgjedhjeve, Ramës dhe kolegëve të tij nuk i mbetet asgjë tjetër veçse të dëgjojnë Këshillën e PE-së dhe të kthehen në Parlament”, thekson Pack, duke shtuar se nga funksionimi normal i Parlamentit përfitojnë në radhë të parë qytetarët shqiptarë. Nga ana tjetër, Pack thekson se veprimet që aktualisht po ndërmerr PS-ja po përkeqësojnë gjithnjë e më shumë imazhin e vendit dhe dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Pak minuta më vonë, Kuvendi dërgoi për median edhe një tjetër deklaratë, atë të Mario Mauros, president i deputetëve të grupimit “Popolo della Liberta” në Parlamentin Europian.
Në këtë deklaratë vihet re se qëndrimet e Mauros janë identike me ato të Pack për krizën politike në vend, madje këtyre deklaratave u ndryshon vetëm gjuha. Pack i shpreh qëndrimet e saj në anglisht, ndërsa Mauros në gjuhën italiane. Nga ana tjetër, anëtarja e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, Lajla Përnaska, deklaroi dje se Rama po i kap njerëzit në Strasburg prej xhakete dhe po i keqinterpreton deklaratat që ata po bëjnë. Sipas Përnaskës, kriza politike në vend duhet të zgjidhet mbi rekomandimet që ka bërë KiE në rezolutën e saj për Shqipërinë.
#