Lojë politike me krimet e epokës së komunizmit
Zbulimi rrënqethës i varrezës masive pranë Tiranës meriton diçka më shumë se sa akuzat e zakonshme të ndërsjellta mes të majtës dhe të djathtës
Balkaninsight
Zbulimi i ekzistencës së një varri masiv vetëm pesë kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana, na shpjegon edhe një herë se sa pak publiku shqiptar dhe elita e tij politike e ka pastruar veten nga krimet e regjimit stalinist të Enver Hoxhës.
Lakejtë e Hoxhës duket se kanë patur një fetish për kocka. Një nga aktet e para të tyre pasi zbritën nga mali për të marrë pushtetin në fund të Luftës së Dytë Botërore qe dhunimi i varreve të Shefqet Bej Vërlacit që kishte qenë katër herë kryeministër apo At Gjergj Fishtës, një nga poetët më të dashur për shqiptarët.
Eshtrat e zbuluara sëfundmi në një ish-bazë ushtarake të njohur si Reparti 313, janë një pjesë shumë e vockël e mijëra njerëzve që u ekzekutuan nga regjimi komunist. Por ndërsa vendi pret 20 vjetorin e rënies së regjimit komunist, politikanët në Tiranë si majtas, ashtu edhe djathtas, parapëlqejnë të gjejnë se kush është më shumë fajtor për të shkuarën, në përpjekje për të fituar kapital politik nga trauma shoqërore dhe njerëzore që la në ndërgjegjen tonë të përbashkët regjimi stalinist.
Duke reaguar ndaj publikimit të lajmit nga “Shqip” dhe “Balkan Insight”, lajm që u mbulua gjerësisht nga media vendëse, Kryeministri Sali Berisha e quajti zbulimin “tronditës e prekës”. Ai bëri thirrje me të drejtë për krijimin e një institucioni për studimin e krimeve të komunizmit, ndërsa premtoi një grup pune “Task Forcë” për gjetjen e varreve të viktimave të komunizmit.
“Krijimi i një instituti me detyrën për të gjetur varret e atyre që ranë për liri, dinjitet njerëzor dhe besim te Zoti është i domosdoshëm,” – tha ai.
Por vetëm një ditë më pas, deputetë të Partisë Demokratike deklaruan se dëshirojnë ta shpallin 29 Nëntorin si ditë e përkujtimit të viktimave të komunizmit, në një përpjekje të qartë për ta politizuar zbulimin e varrit masiv. E majta e feston 29 Nëntorin si dita e çlirimit nga sundimi Nazi-Fashist në Luftëbn e Dytë Botërore. Kjo ditë përkujtimore ka qenë në qendër të debateve mes socialistëve dhe demokratëve përgjatë dy dekadave të fundit.
Socialistët reaguan gjithashtu mbi lajmin e varrit masiv, megjithëse me disa ditë vonesë, duke akuzuar Berishën se po shfrytëzon për politikën e vet dhimbjen e familjeve të atyre që u zhdukën. “Partia Socialiste fajëson Sali Berishën, si njeriun që për 20 vjet me radhë ka keqpërdorur kauzën e të përndjekurve politikë, duke e sjellë në vëmendjen publike sa herë i është nevojitur, por pa ofruar kurrë një zgjidhje që do të qetësonte shpirtrat dhe do të rikthente krenarinë e atyre që vuajtën një nga diktaturat më të egra në Europë,” deklaroi deputetja socialiste Olta Xhaçka.
Akuzat e egra janë të zakonshme në diskutimet politike në Shqipëri. Gjatë muajve të fundit, Edi Rama dhe Sali Berisha e kanë akuzuar njëri-tjetrin për çdo gjë, nga skizofrenia te fashizmi, si pasojë e një debati të ashpër që erdhi nga zgjedhjet me rezultat shumë të ngushtë të vitit të kaluar. Si Berisha, ashtu edhe Rama duket se duan të bindin njerëzit se jeta është e pavlerë në rast se ata nuk e kapin apo e mbajnë postin e kryeministrit. Për pasojë, çdogjë që publikohet duhet që të diskutohet dhe debatohet në atë formë që atyre u intereson.
Gjithsesi për familjet e atyre që u ekzekutuan dhe që janë ende pa një gur varri, fati i të dashurve të tyre është më e rëndësishme se sa beteja mondane për pushtet që duket se është e pafundme në Shqipëri.
Përgjatë dy dekadave të fundit, megjithëse janë përballur me indiferencën e autoriteteve, familjet kanë kërkuar me ngulm eshtrat e të afërmve të tyre, në mënyrë që t’i japin një vend të denjë për prehjen e përjetshme.
Bodrumet e Ministrisë së Brendshme dhe arkivat e tjera mbartin qindra dhe mijëra dokumente që mund të japin informacion mbi vendet e ekzekutimit. Nxjerrja në dritë e këtyre arkivave jo vetëm që do t’i japë dinjitet vuajtjeve të gjeneratave që jetuan nën komunizëm, por do të shërbejë edhe si shpjegim për ata që kanë lindur pas rrëzimit të sistemit. Këto të fundit do të kenë në këtë mënyrë një shpjegim se pse Shqipëria nuk duhet të përballet kurrë më me fatkeqësi të tilla.
Tentativa për të nxjerrë përfitime politike nga trauma kolektive që krimet e komunizmit lanë pas, siç kanë bërë politikanët në dy dekada, thjeshtë sa e shton dyshimin se ata mbesin skllevër të të shkuarës – një periudhë kur varret e atyre që u ekzekutuan për arsye politike qenë të fshehura aq mirë sa të mos gjeheshin kurrë.
#