E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pak: Institucionet e Kosovës, në rrugë të mbarë

Eurodeputetja Doris Pak tha dje në Prishtinë se institucionet e Kosovës kanë treguar përmbajtje dhe përkujdesje për të gjithë qytetarët e vendit. Pas takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pak, theksoi se miratimi i Kushtetutës së Kosovës është për të gjithë qytetarët e këtushëm dhe porositi që liderët politikë duhet të bëjnë shumë që edhe serbët të kenë besim në këtë Kushtetutë. "Parlamenti ka miratuar Kushtetutën e Kosovës për të gjithë qytetarët, për të gjithë që jetojnë në Kosovë, sepse kjo Kushtetutë përfshin parimet e planit të Marti Ahtisarit, i cili është pranuar vitin e kaluar në Parlamentin Evropian nga shumica. "Ne inkurajojmë Presidentin të përpiqet që t‘i bëjë njerëzit, minoritetet, veçanërisht serbët, t‘u besojnë institucioneve, pasi këto institucione u ofrojnë atyre shumë mundësi, që të jetojnë, të kenë të drejtën e identitetit, të kenë raporte me fqinjët në shtetet fqinje", theksoi eurodeputetja Doris Pak. Ajo shtoi se "ky delegacion deputetësh që po viziton Kosovën do të ketë biseda edhe me politikanë të tjerë, me serbët dhe minoritetet tjera, për t‘u treguar atyre që Parlamenti Evropian është duke u kujdesur për situatën këtu". Në anën tjetër, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi e falënderoi deputeten Pak për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë për Kosovën, theksoi se institucionet e Kosovës do të punojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. "Falënderova për angazhimin dhe mbështetjen që ka dhënë eurodeputetja Pak në Kosovë. Deputetja Pak është në rrugë të gjatë të mbështetjes së fuqishme me argumentet e ecjes që kemi pasur dhe në të njëjtën kohë mori garancitë tona për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës si një shtet demokratik për të gjithë qytetarët dhe një shtet që do të ketë ambicien e vetë në ecjen e saj drejt integrimeve euroatlantike", theksoi Presidenti Sejdiu, duke premtuar bashkëpunimin në mënyrën më të mirë të mundshme edhe në të ardhmen me Parlamentin Evropian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›