E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjlit ankohen te BE: PD dhe PS po na diskriminojnë

Partitë e vogla ankohen te ndërkombëtarët për bashkëpunimin PD-PS lidhur me ndryshimet në Kushtetutë. Të vegjlit e PD-së dhe PS-së kanë shkuar dje në zyrën e ambasadorit të Bashkimit Evropian, Helmuth Lohan. PAA, PDS, PDK dhe PBLD kanë shkuar në zyrën e Lohan për të diskutuar në lidhje me zgjidhjen e Presidentit nga populli dhe për sistemin elektoral. Pasi i shprehën pakënaqësitë e tyre për bashkëpunimin PD-PS, të vegjlit i kërkuan ambasadorit Lohan të mos bëhet ky proces pa transparencë. Ata kërkojnë zgjedhjen e Presidentit nga populli. Sipas kreut të PAD-së, Neritan Ceka, zgjedhja e Presidentit nga populli nuk cenon integritetin e vendit. Të vetmit të pranishëm nga kampi i djathtë në këtë takim kanë qenë demokristianët dhe Arian Starova i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat. Dje në mesditë, në takimin që është bërë me partitë politike të "ashtuquajtura të vogla" iu kërkua ambasadorit të BE-së Lohan ndërhyrja për të frenuar ndryshimet në Kushtetutë, të cilat po kryhen nga dy partitë e mëdha, që po kryhen pa transparencë, pa konsultime me ekspertët dhe pa ekspertizë ndërkombëtare, por edhe kundër vullnetit të shumicës së shqiptarëve. Të vegjlit i kërkuan Presidencës së KE-së në Shqipëri që të ndërhyjë në përmbushjen e standardeve që duhen për kryerjen e reformave edhe në raport-progresin e fundit të tyre. Sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari, në takimin që pati me ambasadorin Lohan propozoi sistemin proporcional-rajonal holandez, i cili aplikohet në këtë shtet me një prag korrektues prej 1%. "Çdo deformim i tij, me të ashtuquajturin spanjoll, i cili më tepër i ngjan modelit të zbatuar në Turqi, do të ishte po aq i kontestueshëm për trafikim votash dhe Dushk më të madh, siç ndodhi me sistemin aktual të deformuar me dy fletë, i cili u aplikua nga dy partitë PD-PS, me qëllim prodhimin e Dushkut", tha ai. Duçkallari ka theksuar gjithashtu se "Dushku do të eliminohet përfundimisht dhe sistemi do të ishte i pakontestueshëm, edhe nëse do të aplikohet me sistemin aktual në një fletë votimi, po ashtu sikundër nëse do të zbatohet sistemi holandez aktual, që përmban korrektimin kombëtar, gjë që nuk do të bëjë të mundur tjetërsimin e votave të shqiptarëve". Edhe Partia Demokrate e Re mbështet zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Zëdhënësi i PDR-së, Ermal Bushi, u shpreh në një konferencë për shtyp, se "PDR-ja ka qenë dhe është për zgjedhjen e kreut të shtetit direkt nga populli, pasi besojmë se kështu shmangen vështirësitë, ngërçet, ndoshta dhe pazaret e panevojshme". Sipas tij, "në këtë mënyrë legjitimohen më mirë institucionet e Republikës". "Shpresojmë se në ditët në vijim edhe forcat parlamentare që kanë qenë për versione të tjera, do të rishikojnë qëndrimin e tyre, në mënyrë që edhe në Kuvend të krijohet një konsensus për formulën popullore", përfundoi ai. Partia Demokristiane, ashtu si aleatët e tjerë, mbështet zgjedhjen e kreut të shtetit nga populli. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Ndue Shpani, tha pas takimit me Lohan, se "PDK-ja dhe grupi i saj parlamentar ka shprehur tashmë qëndrimin për zgjedhjen e Presidentit nga populli". Sipas tij, "votat në Kuvend do të jenë 100 për qind për këtë variant". Dy partitë më të mëdha politike nuk kanë qenë në këtë takim. Atyre u janë bashkuar edhe PSD dhe PR. Në një konferencë për shtyp, anëtari i Kryesisë së PD-së, Edi Paloka, konfirmoi qëndrimin kundër nenit 87 të Kushtetutës që, sipas tij, shkakton kriza në zgjedhjen e Presidentit. Ai theksoi se PD-ja është dakord që të shmangë nenin 87 të Kushtetutës në zgjedhjen e Presidentit, i cili praktikisht shkakton kriza, pasi është një proces që kërkon 84 vota. "Në grupin e mazhorancës kishte dy ide, njëra për zgjedhjen e Presidentit me 71 vota dhe tjetra, një ide e vjetër e PD-së, për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli", tha deputeti Paloka. Ai nënvizoi se ka firmosur për variantin e dytë, atë të zgjedhjes së Presidentit nga populli. "Por, vijoi ai, nuk jemi në asnjë pikëpamje kundër Berishës apo dikujt tjetër". "Në rast se arrihet konsensusi prej 94 votash, kuorumi i nevojshëm në Kuvend për të miratuar zgjedhjen e Presidentit nga populli, ne do ta pranojmë, ndryshe do të votohet varianti tjetër, ai me votim të thjeshtë në Kuvend", sqaroi Paloka. Ai shtoi se "qëllimi është i njëjtë, eliminimi i krizës që sjell neni i 84 votave në Kuvend".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›