E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pak: “Mos aplikoni për statusin, përqendrohuni te zgjedhjet”

Delegacioni europian merr shënime mbi zhvillimet politike në Shqipëri. Zhvillohet takimi i 15-të ndërparlamentar Shqipëri-Bashkimi Europian

Eljona Ballhysa
Delegacioni i Parlamentit Europian në Tiranë, i kryesuar nga Doris Pak, ka sugjeruar qeverinë shqiptare që të mos nxitohet për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE. Gjatë takimit të 15-të ndërparlamentar Shqipëri – Bashkimi Europian, Doris Pak ka sugjeruar që qeveria shqiptare dhe i gjithë faktori politik të përqendrohen gjatë këtyre muajve në zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Edhe ambasadori i KE-së, i pranishëm në këtë takim, Helmut Lohan, e ka vënë theksin në domosdoshmërinë e një procesi zgjedhor në përputhje me standardet e BE-së. Më tej, përfaqësuesit e Parlamentit Europian kanë marrë informacion mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, çmimin e tyre si dhe ecurinë e reformave të tjera demokratike në vend. Gjatë paradites delegacioni i PE-së ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitet të larta të politikës shqiptare.
Sugjerimet
Gjatë fjalës së saj Pak ka theksuar edhe njëherë se nuk është momenti i duhur që Shqipëria të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE. Sipas saj, është koha që qeveria dhe i gjithë faktori politik shqiptar “të vlerësojnë si prioritare zgjedhjet e qershorit të këtij viti”. Kryetarja e delegacionit të PE-së u shpreh se situata brenda BE-së nuk është shumë e favorshme, pasi jo çdokush është në favor të zgjerimit të BE. Edhe kreu i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, e vlerësoi vitin 2009 një vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe zgjedhjet parlamentare, si test maturie për vendin.
Lohan garantoi se Bashkimi Europian do të vëzhgojë gjithë procesin zgjedhor dhe veçanërisht përgatitjet dhe ecurinë e procesit gjatë muajit maj. Sipas tij, viti 2009 është i rëndësishëm për Shqipërinë për shkak të hyrjes në fuqi të MSA-së në prill, hyrjes në NATO, po ashtu edhe për zgjedhjet. “Më e rëndësishmja është që këto dy ngjarje shënojnë fillimin e një epoke të re për performancën e Shqipërisë. Sfida më e rëndësishme për Shqipërinë është sundimi i ligjit, vendosja e një sistemi që mbron të drejtën e pronës, por edhe forcimi i kapaciteteve administrative në institucionet shqiptare”, - është shprehur Lohan gjatë takimit të 15-të ndërparlamentar midis Shqipërisë dhe BE-së.
Përfaqësuesi çek i delegacionit të Parlamentit Europian, Tomas Szyoany, ka ritheksuar vendimin e Presidencës çeke të BE-së për konsiderimin e Ballkanit Perëndimor si prioritet të saj. Ndërkaq, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, duke ftuar krerët e shtetit të reflektojnë mirë përpara se të hedhin një hap të tillë. “Anëtarësimi në NATO nuk është ftesë për në Bashkimin Europian”, - deklaroi përfaqësuesi çek i delegacionit të PE-së. Ndër të tjera është përmendur edhe procesi zgjedhor për të cilin Çekia deklaron vëmendje të veçantë ndaj ecurisë së procesit.
Përfaqësuesi çek ka folur edhe për ligjin e pastrimit të figurave, për të cilin ka theksuar nevojën e një konsulence ndërkombëtare, në mënyrë që të zbatohet brenda standardeve të Kushtetutës.
Takimet
Presidenti Topi, nga ana e tij, duke folur për procesin e përfshirjes së shpejti të Shqipërisë si vend anëtar me të drejta të plota në NATO, u shpreh se nëse vite më parë ky proces dukej i paimagjinueshëm, tashmë ai është drejt konkretizimit dhe që do të thotë se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm. Përsa i përket përgatitjes së procesit zgjedhor, Topi u shpreh se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për pajisjen e popullsisë me karta identiteti brenda afatit, por, sipas tij, “procesi është ende në fazën e aplikimit nga shtetasit shqiptarë dhe që do të synojë garantimin e zgjedhjeve të lira, korrekte dhe të pakontestuara”. Presidenti Topi, duke iu përgjigjur interesimit të disa prej anëtarëve të delegacionit, u ndal edhe në përpjekjet e vazhdueshme në luftën kundër krimit të organizuar, kundër fenomenit të korrupsionit, trafiqeve të ndryshme etj. Përsa i përket çështjes së pronës private dhe legalizimeve, presidenti tha se është një ndër prioritetet, për të cilin po punohet shumë, si një problem i ndërlikuar që kërkon zgjidhje komplekse dhe që shteti shqiptar është i vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për përfundimin sa më shpejt dhe me sukses të plotë të kësaj reforme.
Ndërsa Topalli, gjatë takimit me Doris Pak, është ndalur në proceset integruese të Shqipërisë, veçanërisht në anëtarësimin e plotë të vendit në NATO muajin e ardhshëm. Topalli gjithashtu ka bërë të ditur se “së shpejti Shqipëria do të paraqesë kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE”. Ajo ka theksuar se prioritet për vendin janë realizimi i zgjedhjeve të lira, të rregullta e me të gjitha standardet. Edhe zëvendëskryeministri Pollo garantoi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që këto zgjedhje të jenë më të mirat e realizuara deri më sot në vend. Ndërsa Doris Pak theksoi se është e nevojshme që të gjitha partitë e spektrit politik parlamentar shqiptar të bëjnë përpjekje për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe pajisjen e tyre me letërnjoftime elektronike.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›